TIRANË- Pak para nisjes së seancës plenare, forca të shumta policie dhe automjete të uniformave blu kanë rrethuar dhe bllokuar hyrjen e Parlamentit.
Masat e shtuara të sigurisë janë marrë në kuadër të protestës së paralajmëruar, ndërsa efektivët janë pozicionuar në disa pika përreth zonës. Forcat e policisë janë vendosur nga Xhamia e Namazgjasë, përgjatë “Rrugës së Elbasanit”, deri në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Pranë Parlamentit është vendosur edhe një autobot uji, i cili mbahet në gatishmëri në rast nevoje për ndërhyrje gjatë protestës.
Seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa një prej çështjeve kryesore në rendin e ditës është projektligji për riorganizimin territorial të vendit. Projektligji i PS parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, me 15 bashki që pritet të bashkohen me njësi vendore më të mëdha./ZËRI