
LEZHË- Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në aksin Lezhë-Laç. Raportohet se një kamion i ngarkuar me zhavorr është përplasur me një makinë tip "Volswagen". Siç mund të shihet dhe nga pamjet aksidenti ka qenë i fortë pasi makina e tipit "Passat", është dëmtuar thuajse plotësisht, ndërsa për shkak të përplasjes pjesa e sipërme e saj është shkëputur nga mjeti. Të dy mjetet kanë përfunduar disa metra jashtë rruge.
Mësohet se drejtuesi i makinës së vogël është nisur menjëherë drejt spitalit të Traumës për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar. Për nxjerrjen e tij nga mjeti është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lezhë/Informacion paraprak. Rreth orës 13:00, në aksin rrugor Milot-Lezhë, shtetasi A.Z. duke drejtuar mjetin tip kamion është përplasur me automjetin tip Volkswagen me drejtues shtetasin E. F. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i automjetit shtetasi E. F., i cili është transportuar në Spitalin e Traumes Tiranë për asistencën e nevojshme mjekësore. Grupi hetimor vazhdon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./ZËRI