
KORÇË- Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i kreut të dhomës së avokatisë Arben Lenës. Mësohet se arrestimi i avokatit, ka ardhur për shkak të një çështje mbrojtur prej tij.
Në përgjimet telefonike të SPAK Lena zbulohet se i ka kërkuar ish-asistentes së tij të mbante në zyrë një zarf me 5 mijë euro, i cili mendohet se ishte rryshfet për të ndryshuar masën e sigurisë për të dënuarin për transport të paligjshëm të emigrantëve. Kjo është shuma për të cilën avokati akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv.
Ngjarja ka ndodhur në dhjetor 2023, ku Lena akuzohet se do të ndërhynte në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurisë të shtetasit Bledar Kozici i ndaluar për trafikim të emigrantëve.
Arben Lena është arrestuar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Ai akuzohet për korrupsion me vlerë 5 mijë euro. Lena ndodhet nën akuzën se është i përfshirë në skemën e korrupsionit që u godit në 26 dhjetor 2023, ku 3 persona u lanë në burg, 1 në arrest shtëpie dhe 1 tjetër detyrim paraqitje për tentativën e korruptimit të zyrtarëve publikë në Gjykatën e Korçës me qëllim zbutjen e masës së sigurisë ndaj një të dënuari./ZËRI