
KORÇË- Kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Lena akuzohet për korrupsion me vlerë 5 mijë euro, i cili mendohet se ishte rryshfet për të ndryshuar masën e sigurisë për të dënuarin për transport të paligjshëm të emigrantëve. Kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë akuzohet se do të ndërhynte në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit Bledar Kozici.
Arrestimi i tij vjen pas një hetimi disa mujor nga SPAK për një aferë korruptive, i cili do të konkludohej më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Mësohet se mes personave të hetuar ishin edhe shtetasit: Nikoll Hafesllari, Nikoll Jesku, Dajana Kodra, Dritan Tabaku, Bledar Koziçi, Artiana Koziçi.
Njoftimi i SPAK më 26.12.2023
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 07 të vitit 2023, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Moskallëzimi i Krimit”, parashikuar nga nenet 245/1, pika 2 dhe 4 e 300 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit D. K., N. H., N. J., B. K. dhe A. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit B. K., i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal. Shtetasi D.T., dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal./ZËRI