
TIRANË-Pjesë e operacionit të SPAK është edhe banesa e Albert Zajës. Kontrollet janë zhvilluar në Fushë Krujë gjatë natës si edhe në fshatrat Larushk e Nikël. Mësohet se është kontrolluar edhe banesa e Albert Zajës në Larushkë, i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Me urdhër të SPAK, Policia e mbështetur nga forcat RENEA po kryen operacione në të gjithë vendin, me qëllim kapjen e eksponentëve të rëndësishëm të krimit të organizuar në Shqipëri.
Si ndodhi krimi?
Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit 2021 pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Ai u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës. Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun. Në vitin 2016, një atentat i ngjashëm iu bë të vëllait tek Ura e Mbrostarit në Fier, por plumbat i mori shoku i tij, Denis Kasaj, i cili humbi dhe jetën.