Aktualitet

'Oliveri' nga Arktiku po vjen drejt Ballkanit, do bjerë deri në 50 centimetra borë

Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin. Por po ashtu, priten edhe reshje dëbore që do të përfshijnë zonat Verilindore, Lindore dhe Juglindore të territorit, në lartësinë 300m mbi nivelin e detit.

k.m.
'Oliveri' nga Arktiku po vjen drejt Ballkanit, do bjerë deri
Foto ilustruese

TIRANË- Po vjen një tjetër stuhi në Shqipëri! Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar se priten reshje intensive në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin. Por po ashtu, priten edhe reshje dëbore që do të përfshijnë zonat Verilindore, Lindore dhe Juglindore të territorit, në lartësinë 300m mbi nivelin e detit.

Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë.

Sa i përket temperaturave, nesër (e shtunë, dt.25) do të variojnë 7 / 15 °C në zonat bregdetare; në vendet e ulëta: 4 / 13 °C; ndërsa në vendet malore: -3 / 9 °C. Ditën e hënë, nuk do të ketë reshje shiu por temperaturat do të jenë sërish të ulëta.

Ditët e festave do të ketë sërish shi, ndërsa në zonat malore mbi 600-700 metra, reshjet të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët deri në mesatar. Edhe dita e mërkurë pritet të mbetet me të njëjtat kushte meteorologjike, e vetëm më pas do të kemi një rritje të ndjeshme të temperaturave.

Po ashtu, edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bën thirrje autoriteteve lokale dhe banorëve të tregojnë kujdes të shtuar.

NJOFTIMI I PLOTË:

-Sasia e reshjeve pritet të jetë më intensive në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë. -Në qarqet Dibër, Elbasan, Berat dhe Vlorë priten reshje shiu me intensitet mesatare deri lokalisht intensive. -Reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar priten në qarqet e tjera. Hera-herës reshjet pritet të jenë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike. Në verilindje-lindje në lartësin mbi 200-300 metra dhe në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 700-800 metra reshjet pritet të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët deri mesatar. Në verilindje-lindje hera-herës reshjet e borës pritet të jenë edhe në formën e stuhive të dëborës. Në datën 26.11.2023, parashikohet ndërprerja e reshjeve të shiut dhe në zonat malore në lartësinë mbi 200-300 dhe juglindje në lartësinë mbi 700-800 metra, reshje bore deri në orët e mëngjesit me intensitet të ulët më pas pritet ndërprerja e tyre. Priten ngrica të forta përgjatë akseve rrugore kryesisht në zonat malore.Në këtë kohë, bashkitë të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gadishmëri mjetet për t'ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t'ju ndihmuar dhe për t'ju ofruar këshilla në kohë reale.

STUHIA OLIVER

I ftohti më i fortë i sezonit do të përfshijë jugun, duke krijuar një stuhi të fuqishme dimërore në të gjithë Gadishullin Ballkanik dhe do të sjellë sasi të mëdha dëbore nga Rumania e Ukraina. Një stuhi dimri do të prekë Greqinë, Shqipërinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit. Më pas, stuhia do të forcohet duke prekur Bullgarinë, Rumaninë, Moldavinë dhe Ukrainën. Do të ketë edhe rreth 50 centimetra reshje intensive bore të kombinuara me erëra të forta. Stuhia do të kalojë edhe mbi Francën lindore, Beneluksin dhe Gjermaninë të hënën në mbrëmje, pastaj më tej në lindje-juglindje mbi Alpe drejt Ballkanit të martën. 

Kështu që përgatituni, dimri zyrtarisht ka ardhur!/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB