
KURBIN- Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet e prokurorisë së Lezhës, për nxjerrjen e inerteve në lumin Mat si dhe ndërtimi pa leje i një subjekti në Patok, ku gjykata e Lezhës lëshoi urdhër arrest për drejtorin e IMT Kurbin, Jetmir Muzhika, si dhe pezulloi nga puna 3 inspektorë të po këtij inspektoriati, e po ashtu u dha masa arrest shtëpie për Flor Gjinin, ish-kryeinspektor pranë IKMT Lezhë. Prokuroria e Lezhës ka vënë nën sekuestro 10 subjekte, të cilat nxirrnin inerte nga lumi Mat.
Në rastin e ndërtimeve në Patok, kjo ka ardhur me indicie, pasi ishte dërguar në gjykatë një i moshuar që po bënte shtesë dhe në seancën gjyqësore ka deklaruar se ndërhyrja e tij ishte mjaft e vogël, krahasuar me atë që po ndodhte në zonë.
Për këtë arsye prokuroria nisi hetimet që kanë zgjatur rreth 6 muaj dhe pas verifikimeve ka rezultuar se nuk kishin leje e për pasojë një subjekt ka kaluar në sekuestro preventive dhe vijojnë hetimet. Ky objekt po ndërtohet në rrugën kryesore të Patokut dhe e bën krejt të ekspozueshëm për inspektoret që duhet të kishin ndërhyrë.
Ky fakt ka bërë që të nisin hetimet ndaj zyrtarëve të IVMT dhe IKMT, për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë kryer kontrollin në territor ashtu siç është edhe veprimtaria e tyre dhe aq me tepër që bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur dhe sipas Prokurorisë ata nuk kanë vepruar në përmbushje të ligjit.
Po ashtu burime bëjnë me dije se janë në sekuestro preventive dhe disa objekte në zonën e Mirditës, për marrje inertesh në lum.
Aksioni i prokurorisë
Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Kurbin, Jetmir Muzhika është vënë në pranga, ndërsa të gjithë inspektorët janë pezulluar nga detyra. Shkak për këtë janë ndërtimet pa leje në zonën e Patokut dhe marrja e inerteve në mënyrë të paligjshme në lumin Mat. Ka qenë prokuroria e Lezhës ajo që ka ndërmarrë hetime për rolin e funksionarëve të IMT-së, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Në arrest shtëpie është lënë Flor Gjini, ish-drejtor i IMT-së Lezhë, i cili mban postin e drejtorit të Postës Lezhë, që akuzohet gjithashtu si i përfshirë në këtë skemë.
/ZËRI