
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka refuzuar një marrëveshje të arritur mes Prokurorise së Posaçme, dhe ish-prefektit të qarkut të Kukësit, Granit Gjana, për pranimin e fajësisë, për dy procedura prokurimi për blerjen e karburantit. GJKKO ka vendosur që të mos e kalojë çështjen për gjykim, dhe urdhëron Prokurorinë e Posaçme që të kryejë hetime të mëtejshme.
Marrëveshja e arritue mes SPAk dhe Gjanës, parashikonte dënimin e tij me 1 vit e gjysmë burg, e cila më pas do t’i konvertohej në 3 vite shërbim prove, e cila do ta shpëtonte atë nga burgosja. Po ashtu SPAK kishte kërkuar që për 5 vite Gjana, të mos ushtronte asnjë detyrë publike. Në lidhje me tenderat për të cilat është marrë i pandehur Gjana, është marrë në pyetje dhe ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, i cili ka thënë se nuk mban mend detaje nga këto dy procedura prokurimi.
“Më date 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë që kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, citohet në dosjen e SPAK.
Tashmë Prokuroria e Posaçme do të duhet të vijojë hetimet për Gjanën, dhe të kërkojë një dënim të ri./ZËRI