
TIRANË- Një ditë pasi SPAK njoftoi pezullimin e tij nga detyra, për shkak të dyshimeve për ndërhyrje në tenderat e bashkisë së Kukësit, Granit Gjana ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme, ku do të njihet dhe me masën e sigurisë. Masa e sigurisë "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, i është lënë në fuqi nga GJKKO.
“U dorëhoqa si Prefekt për t'u përballur me drejtësinë si qytetar”, tha Granit Gjana pas seancës së GJKKO-së
Granit Gjana u pezullua nga detyra si prefekt i Kukësit, detyrë që mbante prej muajit shtator, pasi akuzohet se ka penguar një kompani të merrte pjesë në tendera të Bashkisë së Kukësit. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se Granit Gjana, në kohën kur zëvendësoi Safet Gjicin në krye të Bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë.
Pra në procedurat e nisura nga Autoriteti Kontraktor, zëvendëskryetari i Bashkisë ka ndërhyrë dhe ka dëmtuar interesat e kompanisë “U. C. Sh.p.k.", ndaj dhe do të hetohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet me burgim deri në tre vite burg.
Emri i Gjanës ishte përmendur edhe në kohën e arrestimit të Safet Gjicit, pasi ky i fundit i kishte lënë porosi që të merrej me projektin që propozonte Alma Kaçi për strehimin e qenve. Por megjithatë, Gjana në rastin e parë nuk u ngarkua me asnjë akuzë nga SPAK, e madje disa muaj më vonë socialistët i besuan dhe detyrën e prefektit.
/Zëri