Aktualitet

Abuzoi me tenderat për naftën, SPAK pezullon nga detyra prefektin Granit Gjana

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se në kohën kur Granit Gjana, në kohën kur zëvendësoi Safet Gjicin në krye të Bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera.

k.m.
Abuzoi me tenderat për naftën, SPAK pezullon nga detyra prefektin
Granit Gjana

TIRANË- Granit Gjana është pezulluar nga detyra si prefekt i Kukësit, pasi akuzohet se ka penguar një kompani të merrte pjesë në tendera të Bashkisë së Kukësit. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën me dije se Granit Gjana, në kohën kur zëvendësoi Safet Gjicin në krye të Bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë. Pra në procedurat e nisura nga Autoriteti Kontraktor, zëvendëskryetari i Bashkisë ka ndërhyrë dhe ka dëmtuar interesat e kompanisë “U. C. Sh.p.k.", ndaj dhe do të hetohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Pas njoftimit zyrtar të SPAK, disa media kanë nxjerrë lajmin se Gjana e ka dhënë që mbrëmë dorëheqjen nga posti i prefektit, të cilin e kishte marrë që prej datës 13 shtator, duke zëvendësuar në detyrë Albert Halilajn. Ky i fundit garoi nën siglën e Partisë Socialiste dhe fitoi zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Kukësit.

Por kush është kompania që i 'kushtoi' karrierën politike dhe një hetim nga SPAK Gjanës?

Personi, i cili është edhe pronari i "U.C. shpk", një prej kompanive që merrte pjesë në tender është Uran Cengu; një prej kandidatëve të mundshëm të Partisë Demokratike në Kukës për kreun e Bashkisë Kukës, për zgjedhjet vendore të këtij viti. Cengu, anëtar i Kryesisë së PD, me profesion jurist mori pjesë në Primare, por nuk ia doli dot që të siguronte provat e mjaftueshme për të garuar kundër Halilajt për kreun e Bashkinë së Kukësit. Megjithatë duket se edhe pse jo në garë ka mbajtur shënim çdo lëvizje të kundërshtarit. 

NJOFTIMI I PLOTË I SPAK: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime paraprake në kuadër të procedimit penal nr.133 të vitit 2023, për veprën penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim G. Gj., në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal. Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.

Në vijim të hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 ka vendosur: – Caktimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në ngarkim të personin nën hetim G. Gj., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal, duke u ndaluar plotësisht i hetuari G. Gj., në ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës. Kjo masë sigurimi është ekzekutuar nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Kombëtare të Hetimit në datën 05.12.2023.

Poll

MOS HUMB