
TIRANË- Në orën 10 të paradites së sotme, Kuvendi pritet të mblidhet në seancën e radhës, në fokus të së cilës do të jetë miratimi i projektligjit të buxhetit të ardhshëm, nen për nen.
Seanca pritet të shoqërohet me tensione, pasi Sali Berisha dhe 5 deputetë të tjerë të PD-së janë përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi. Vendim i cili nuk njihet nga deputetët e opozitës.
Komisioni i Etikës përjashtoi dje Sali Berishën, Gazment Bardhin, Flamur Nokën, Edi Palokën, Albana Vokshin dhe Elda Hotin, pas akteve të dhunshme që ndodhën në seancën e të hënës.
Me shumë gjasë ata nuk do ta njohin vendimin dhe do të shkojnë në Kuvend, për të qenë pjesë e seancës. Berisha paralajmëroi dje përshkallëzimin e qëndresës në Kuvend, por pa dhënë detaje se si do të konkretizohet kjo.
Prej 19 Tetorit, opozita nuk ka lejuar zhvillimin normal të seancave plenare, të cilat në të gjitha rastet janë mbyllur në më pak se 20 minuta. E njëjta situatë është parë dhe në Komisionet Parlamentare, shumica e të cilave i kanë kaluar punimet online.
Opozita proteston për refuzimin e mazhorancës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, mospranimin e propozimit të tyre për bashkëkryetarin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, si dhe rrëzimin e të gjitha propozimeve të tyre, sa i takon nismave ligjore.
Megjithë nxjerrjen e punimeve të Kuvendit jashtë normalitetit, mazhoranca nuk ka pranuar që të ulet në diskutime për daljen e parlamentit nga ky ngërç.
/ZËRI