Aktualitet

500 mijë euro në banesë, pastruesja dënohet me 7 vite burg, ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt me 2.6

Dobi u dënua për vjedhje në bashkëpunim, kurse Klosi për pastrim parash, deklaratë të rreme para policisë dhe fshehje pasurie

E.K
500 mijë euro në banesë, pastruesja dënohet me 7 vite burg,
Rozeta dhe Havier Dobi

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka dhënë dënimin për Rozeta dhe Havier Dobin, si dhe Alda Klosin. Rozeta Dobi është dënuar me 7 vite burg, djalin i saj me 5 vite burg, ndërsa Klosin, ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt me 2 vite e 6 muaj burg. Por të tre atyre iu ulet 1/3 e dënimit në sajë të gjykimit të shkurtuar. Klosi ka pothuasje një vit në ambientet e paraburgimit, dhe për rrjedhojë ajo do të dalë e lirë, pasi paraburgimi llogaritet me 1.5 ditë. Ndërsa nënë e bir, kanë pësuar humbjen më të madhe teksa ndodheshin pas hekurave të burgut. Teksa prisnin dënimin, ka ndërruar jetën bashkëshorti. Ndaj edhe mbrojtja e Dobit ka kërkuar lirimin e saj, me pretendimin se asaj i ka vdekur bashkëshorti, dhe i duhet të kujdeset për fëmijët.

Por nuk e la pa përmendur edhe Alda Klosin, për të cilën tha se ia kishte kërkuar ajo që t'i ruante paratë dhe se e gjitha është e inskenuar prej saj. Edhe njëherë ajo mohoi t’i ketë vjedhur paratë, teksa tha se Alda Klosi ia ka kërkuar si favor për t'ja hedhur fajin ish-bashkëshortit. 

“Së pari shpreh pendesën time për çdo gjë që ka ndodhur, kërkoj mëshirën tuaj në dhënien e vendimit. Atë shumë parash Alda Klosi më ka kërkuar që t’i mbaj dhe në një moment të dytë do ja ktheja tek shtëpia e saj. Kërkoj mëshirë, kërkoj falje. Shumën e parave m’i dha Alda Klosi për ti mbajtur disa kohë në shtëpinë time më pas t’ia ktheja. Kam punuar gjithë jetën me punë të ndershme jo të bëj vjedhje. Klosi më tha mbaj lekët, se donte të fajësonte bashkëshortin për vjedhje. Unë nuk kam vjedhur, me vjen keq e kam mbajt familjen me punë të ndershme, s’kam dashur t’i bëj asgjë të keqe, unë s’kam lidhje fare me unazën e Ervin Karamuços, varsja ka qenë e ish-bashkëshortes së bashkeshortit tim të ndjerë. Më ka kërkuar që t’i mbaja, këtë inskenim ajo e ka bërë që të fajësojë ish-bashkeshortin e saj,”- tha Rozeta Dobi.

Por organi i akuzës, gjatë dhënies së pretencës, ka theksuar se në analizën financiare për Klosin, shuma e vjedhur nuk rezulton e provueshme nga burime të ligjshme. Prokurorja Mirela Zavalani ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në 29 faqe, ku thekson se është e vërtetuar se në datën 15 tetor 2022 është vërtetuar vjedhja e 462 mijë euro, para me të cilat, Havier Dobi ka blerë edhe dy makina me vlerë 300 mijë lekë të reja njërën dhe tjetrën për 15 mijë dollarë, mjete për të cilat nuk kishte burime të ligjshme. Kështu, mjetet e blera nga Dobi do të kalojnë në favor të shtetit.

Po ashtu, është kërkuar që të hiqet sekuestro për llogaritë bankare të Rozeta Dobit dhe për bizhuterit e vjedhura t'u kthehen personave që u janë marrë.

“Kemi kryer edhe analizën financiare për Alda Klosin, rezulton se shume e parave e vjedhura në banesë nuk rezulton të provohet me burime të ligjshme. Klosi ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe është zbuluar një apartament dhe një garazh në pronësi të ish-bashkëshortit të Alda Klosit. Paralelisht me hetimin penal është duke u zhvilluar dhe hetimi pasurore i Alda Klosit”, thuhej në pretencën e prokurorisë.

Pasi Prokuroria zbuloi pretencën, mbrojta e Rozeta Dobit është shprehur: Ne jemi treguar bashkëpunues dhe jemi arsyeja pse u zbulua gjithe ngjarja, të merret parasyah fakti që Dobi nuk do të jetë e dënuar, ata kanë edhe një faktkeqësi, ka ndërruar jetë bashkëshorti i Rozeta Dobit dhe ajo duhet të kujdeset për djalin. Kërkojmë dënimin në minimum dhe pezullim të dënimit me burg. Ajo do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë, ajo ndihet e penduar për atë që ka bërë. Ne kërkojmë që çdo pasuri e deklaruar para datës së vjedhur t’i kthehen Rozeta Dobit.

 

Dy javë më parë, Klosi dhe sanitarja u ballafaquan me njëra-tjetrën këtu në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë rimarrjes në pyetje, përballë njëra tjetrës, edhe Klosi edhe Dobi këmbëngulën në versionin paraprak që kanë dhanë në polici. Ish-zyrtarja i qëndron alibisë se shumën prej 120 mijë euro e 30 mijë dollarë ia vodhi Rozeta Dobi, të cilën e kishte punësuar prej pesë vitesh. Por sanitarja ka insistuar se jo vetëm që këtë shumë ja kishte besuar shefja Klosi për t’i ruajtur, por edhe vlerën prej 400 mijë euro të gjetura në aspiratorin e kuzhinës i përkasin Alda Klosit. Dobi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim, kurse Klosi për pastrim parash, deklaratë të rreme para policisë dhe fshehje pasurie.

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit mori një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja kishte në banesën e saj, një vlerë që e kalonte atë të 500 mijë eurove. Vjedhja e shtëpisë së Klosit u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri. Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB