
BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç hodhi poshtë pretendimet se ai kishte ndikuar që dhëndri i ish-presidentit Donald Trump të investonte në Serbi, si një përpjekje që ai të ndikonte tek republikani nëse rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
"Unë vdiqa duke qeshur,"- tha lideri serb, Aleksandër Vuçiç, në një tubim, duke iu referuar me tallje lajmeve se Kushner ishte afër një marrëveshjeje për të investuar 500 milionë dollarë në rizhvillimin e një vendi në qendër të Beogradit.
“Kam lexuar në disa gazeta se e kam përdorur këtë për një ndikim politik te Trump, që ka korruptuar Amerikën apo dikë në Amerikë. Unë jam një mrekulli. Është e pabesueshme ajo që mund të bëj”.
Kushner, i cili ishte një këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë në kohën e administratës së Trump, është bashkuar me një ish-ndihmës të Trump, Richard Grenell, për planin. Marrëveshja tentative midis ekipit 'Kushner' dhe qeverisë serbe do t'i jepte firmës së investimeve të Kushner një qira 99-vjeçare, pa pagesë, dhe të drejtën për të ndërtuar një hotel luksoz dhe kompleks apartamentesh dhe një muze në vendin ku ndodhej ish-selia qendrore e Ministrisë së Mbrojtjes Jugosllave në Beograd, e cila u bombardua nga NATO në 1999. Lajmi për propozimin provokoi kundërshtime të forta të hënën nga krerët e partive opozitare në Serbi gjatë një takimi të parlamentit.
Udhëheqësit e partive opozitare thanë se nuk ishin informuar siç duhet për planin dhe e quajtën të papërshtatshme që një kompani amerikane në pronësi të një anëtari të familjes Trump të lejohej të fitonte fitime nga një vend që një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara bombardoi 25 vjet më parë.
"Kjo tregon mungesën e madhe të dinjitetit, ndjenjës për vendin," tha Aleksandar Paviç, një deputet nga një parti opozitare që nuk rreshtohet me Vuçiç.
“Është një turp dhe një shuplakë në fytyrë”.
Nga ana tjetër, Vuçiç tha se ishte "pjesërisht i njohur" me propozimin e zotit Kushner. Por ai tha se specifikat e marrëveshjes po trajtoheshin nga ministri i financave, Sinisa Mali.
"Unë e di se kur ai bën diçka, ai e bën punën në mënyrë të sigurt, me zgjuarsi, seriozitet dhe përgjegjësi," tha Vuçiç, ndërsa Grenell e përshkroi edhe njëherë si në mik personal. Fotoja u shfaq të hënën nga një tjetër deputet, Aleksandër Jovanoviç, i cili u tall me miqësinë mes Grenell dhe ministrit Mali.
“U kërkoj të gjithë deputetëve që janë në favor që të gjitha pronat e Shtabit të Përgjithshëm të dhurohen për kompanitë amerikane offshore, ju lutem ngrini dorën,”- tha Jovanoviç, duke iu referuar anëtarëve të parlamentit dhe godinës së Shtabit të Përgjithshëm, që është emri i përdorur në Serbi për ish-shtabin ushtarak. Asnjë nga deputetët nuk u pa duke ngritur duart.
Dragan Djilas, lideri kryesor i partisë opozitare në Serbi dhe ish-kryetari i bashkisë së Beogradit, tha në një intervistë se: Ne do të përpiqemi që ta ndalojmë këtë investim. Si mund t'i japësh tokë dikujt, krejtësisht falas?
Kushner dhe Grenell, në intervista, thanë se projekti ishte një mënyrë për Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në adresimin e plagëve të lëna nga bombardimet e NATO-s, duke shtuar se fitimet nga rizhvillimi i vendit në pronësi të qeverisë do të ndaheshin me Serbinë.
“Mundësia që investitorët amerikanë të rizhvillojnë ish-selinë ushtarake të qeverisë së Jugosllavisë simbolizon përparimin e jashtëzakonshëm që është bërë për të shëruar plagët nga e kaluar. Ky projekt do ta kthejë një simbol të konfliktit të mëparshëm në një urë miqësie dhe rinovimi,"-tha Grenell.
Projekti në Serbi është një nga tre që Kushner dhe Grenell po përpiqen të zhvillojnë në rajon, me dy të tjerë të planifikuar në Shqipëri. Investimi i tyre total në rajon për hotele luksoze dhe zhvillime të ngjashme do të kapte vlerën e rreth 1 miliard dollarë./ZËRI
Marrë nga NYT