
TIRANË- Skenari i 550 mijë eurove ka marrë një kthesë të papritur! Dëshmia më e re e Rozeta Dobit ka ndryshuar kursin e hetimeve të derimëtanishme, megjithëse ende nuk dihet origjina e parave në banesën e ish-zyrtares së Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Rozeta Dobi pretendon se ka bashkëpunuar me Alda Klosin, për “vjedhjen” e 550 mijë euro në shtëpinë e saj me qëllim futjen në burg të ish-bashkëshortit. Për bashkëpunimin që do të bënte, do të merrte 10 mijë euro dhe një tharëse rrobash.
“…lidhur me këtë shërbim dua të tregoj se si shpërblim Alda do më jepte vlerën 10 mijë Euro, si dhe një tharëse rrobash…,”-ka treguar në prokurori Rozeta Dobi.
Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNeës" se Dobi, e pyetur prokurorët se a e kishte marrë, nëse po dhe si e ka marrë këtë shpërblim nga Alda Klosi, pastruesja ka treguar se: …pas ditës së enjte, që kisha marrë eurot e dollarët dhe i kisha sistemuar në shtëpi, të dielën në darkë e kam telefonuar Aldën, i kam thënë se: …A të vij nesër në punë…?, ajo më ka thënë se: ”…po hajde…” Të hënën pasdite kam vajtur në banesën e Aldës, kam sistemuar rrobat që i kisha bërë rrëmujë të enjten, kam pastruar shtëpinë, dhe në fund ka ardhur Alda, e cila më ka bërë pagesën e muajit 100 euro, më pas më ka dhënë edhe shumën e shpërblimit për mbajtjen e lekëve në shumën 10 mijë euro. Me sa më kujtohet, prerjet kanë qënë 200 e 100 euro. Ndërsa për tharësen e rrobave më ka thënë se:”…do të shikoj se si do më eci puna dhe kur të kthehem nga Amerika do ta blej…”.
Gjatë kohës që Klosi ka qenë në Amerikë, Rozeta pretendon se ajo e ka telefonuar disa herë duke e pyetur edhe për gjendjen e ish-bashkëshortit. Por shkaku ende nuk dihet.
"Më thoshte; A ke qenë nga Altini? (ish-bashkëshorti) …po…- i kam thënë. Si është gjendja? I kam thënë është shumë i qetë. Dua të deklaroj se Altini(ish-bashkeshorti) më kishte thënë se do ikte në Belgjike, a ka vajtur apo jo nuk e di. Alda më tha se ishte në dijeni që Altini do ikte në Belgjike, pasi i kishte treguar vajza. Kjo bisedë ka qenë dy tre ditë para Vitit të Ri. Unë e kam marrë në celular në “ËhatsApp” dhe i kam thënë se jam në punë dhe pasdite do iki tek Altini (ish bashkeshorti), kjo telefonatë ka qenë në datën 6 janar 2023, që përkon me ditën që jam arrestuar,"-ka treguar ndër të tjera sanitarja.
Ndërkohë që ky version i ri i saj ende nuk është komentuar nga Klosi. Kjo e fundit ndodhet ende në burg.
Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit mori një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar kohë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi.
Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri. Të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë në SHBA, ku edhe po kurohej./Zëri.ai