Aktualitet

"Nuk je burrë, s'di çfarë bëhet me gruan"/ Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për vrasjen e 81-vjeçarit nga fqinji

Pasi e ka goditur disa herë me çekiç, Hasa ka marrë qesen me para që viktima kishte në qafë dhe është larguar drejt Vorës.

f.g
"Nuk je burrë, s'di çfarë bëhet me gruan"/
Xhemal Meta dhe Isuf Hasa

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimin dhe ka dërguar për gjykim dosjen e vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta nga fqinji i tij Isuf Hasa. Prokuroria njofton se akuza që rëndon mbi autorin e dyshuar është "vjedhja me pasojë vdekjen". Prokuroria thekson se autori është pyetur disa herë nga prokuroria ku ka rezultuar se viktima e ka provokuar dhe sharë disa herë duke i thënë se "nuk ishte burrë pasi rrinte 4 ditë në punë pa e ditur çfarë bëhej me gruan e tij". Pasi e ka goditur disa herë me çekiç, Hasa ka marrë qesen me para që viktima kishte në qafë dhe është larguar drejt Vorës. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 janar 2025. 

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin I.H për veprën penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.258 të vitit 2025, u arrit të provohet se shtetasi I.H. shkaktoi vdekjen e fqinjit të tij, shtetasit Xh.M., i gjetur i pajetë në fshatin Shëngjin i Vogël në njësinë administrative, Shëngjergj të Tiranës më 13.01.2025.
Ekspertiza mjeko ligjore provoi se viktima humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të forta në kokë, të cilat u shkaktuan nga mjete të forta si çekiçi.

Ndërsa autori, shtetasi I.H. i pyetur dhe ripyetur nga prokuroria, pranoi se goditi fqinjin e tij pasi kishin pirë kafen e mëngjesit pas mllefit të akumuluar prej kohësh, duke qenë se viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë, pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi, e nuk dinte çfarë bëhej me gruan e tij. Autori gjithashtu pranoi që mori edhe sasinë e parave që viktima mbante gjithnjë me vete të lidhura me një qese në qafë.

Për shkak të marrëdhënieve të afërta që ekzistonin midis tij dhe viktimës, shtetasi I.H. ishte në dijeni të faktit që viktima mbante gjithmonë një qese me vete të lidhur në qafë, ku gjendeshin paratë e tij dhe pasi kreu aktit e vrasjes u largua drejt shtëpisë së vajzës së tij në Vorë, ku la armën e krimit dhe sasinë monetare.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallë së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgon në gjyq shtetasin I.H. për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhja me pasojë vdekjen’ në dëm të viktimës, shtetasit Xh.M./Zëri

 

Poll

MOS HUMB