
FUSHE-KRUJE- Mjeku ligjor Elton Serani, përpara se të kryente aktin e ekspertimit mjekoligjor për dhunën që anëtarë të fisit Rraja ushtruan mbi Jashar dhe Bilbil Maja, është i njëjti që vite më parë trajtoi edhe rastin e Xhisiela Malokut. Mjeku Elton Serani në akt ekspertimin e përpiluar e klasifikon ngjarjen si “plagosje të lehtë”, duke ndryshuar edhe akuzën fillestare që ishte ngritur nga prokuroria e Tiranës për plagosje të rëndë me dashje.
Mjeku Elton Serani ekspertoi edhe Xhisiela Malokun në 25 korrik 2018 pas akuzave të saj për dhunë ndaj Rexhep Rrajës, një tjetër anëtar i fisit Rraja, i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u rrahën barbarisht me shkopa bejsbolli dhe u kanosën me armë nga të afërmit e deputetit të zonës, Rrahman Rraja më 6 korrik – në shenjë hakmarrje ndaj ankesave dhe denoncimeve që ata kishin bërë për dëmtimin e shtëpive të tyre nga një gurore në pronësi të Rrajave.
Ngjarja u komentua nga publiku i gjerë si tregues i kontrollit të bandave mbi territorin e vendit dhe pafuqishmërinë e Policisë së Shtetit për të ushtruar detyrën e vet kryesore, kontrollin e territorit. Ajo u pasua me dorëheqjen e Rrajës si deputet dhe largimin e Bledi Çuçit nga Ministria e Brendshme.
Sipas shkresës së Prokurorisë së Tiranës, akti i ekspertimit mjeko-ligjor për Jashar Majën tregoi plagë në lëkurën e kokës, shembje të indeve të buta të trupit dhe dëmtime të shkaktuara nga mjet i fortë prehës, ndërsa në trupin e Bilbil Majës u konstatuan edhe thyerje e kockës frontale-parietale e anës së djathtë të kokës si dhe thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë, përveç dëmtimeve të tjera.
Por sipas ekspertizës, këto dëmtime kanë sjellë humbje të aftësisë së përkohshme në punë, por nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën.
Mbështetur në këto konkluzione, prokurori i Tiranës, Ylli Bashaj ka konkluduar se në këtë rast, nëntë të proceduarit Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja e Edison Meta kanë kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”./Zëri