
PRISHTINË – Një person i tretë është arrestuar në lidhje me ekzekutimin e Liridona Murselit gjatë ditës së djeshme në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Sipas asaj që raporton Kallxo.com, pas arrestimit të bashkëshortit të viktimës Naim Murselit dhe autorit Granit Plava, në pranga ra dhe një person i tretë, që dyshohet se është bashkëpunëtor në vrasje. I dyshuari i tretë është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kushtrim Kokalla që është nip i Naim Murselit. Po ashtu, ai është vëllai i zyrtarit policor, Kanon Kokallës, i cili shërben në Policinë Rajonale në Gjakovë. Madje, Kanon Kokalla kishte shkruar në rrjetet sociale: “Zoti e mallkoftë autorin”.

Prokuroria e Prishtinës ka lajmëruar gjatë ditës së sotme, se në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit në Prishtinë, në pranga ra Naim Murseli dhe autori Granit Plava. “Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy vendndodhje në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (autori) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Murseli dhe Plava janë bashkëfshatarë. Granit Plava, pasi u arrestua ka deklaruar në polici se është paguar 30 mijë euro nga ana e Naim Murselit, për të vrarë Liridona Murselin. Edhe bashkëshorti i viktimës ka pranuar në komisariat se ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortes. Prokuroria tha se për te dyshuarit do kërkohet burg për 30 ditë.
Ngjarja e rëndë që tronditi opinion publik u regjistrua mbrëmjen e vonë të 29 nëntorit në dalje të Prishtinës, në rrugën “Dalip Alshiqi’. Fillimisht u raportua se Liridona Murseli u vra gjatë një tentative grabitjeje nga persona të armatosur, por këtë të premte u zbulua se kjo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ish-këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli. Murseli e kishte nxjerrë 33-vjeçaren në pritën e plumbave, duke e ekzekutuar me dorën e Granit Plavës, i cili u ‘zbërthye” para Policisë dhe deklaroi se Naim Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro për eleminimin e të shoqës. Motivet e ngjarjes ende nuk dihen./Zëri.ai/