TIRANË- Gjyqtarët do të mblidhen sot në orën 10:00 në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të diskutuar situatën e krijuar pas mosmarrjes së pagave të muajit gusht nga magjistratët.
Ndërkohë, tashmë prej tre ditësh, situata me pagat ka sjellë ndërprerje të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës. Prej tre ditësh, punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale nuk po ofrojnë shërbime, duke kërkuar zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave.
Bojkoti është shtrirë edhe në disa gjykata të tjera. Puna është ndërprerë në gjykatat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, në shenjë reagimi ndaj situatës së krijuar. Ndërsa Gjykata e Apelit ka rikthyer shërbimin dhe ka ndërprerë bojkotin, pasi për gjyqtarët e kësaj shkalle ligji nuk lejon zhvillimin e protestave.
Pak ditë më parë, ministri i drejtësisë Toni Gogu deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.
Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, ormulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI