Aktualitet

Si nisi hetimi për 'Sterilizimin'?

Për shkak të miqësisë me “treshes”, koncensioni tashmë i paracaktuar dhe “Sterilizimi” do të binte në dorën e biznesmenit Ilir Rrapaj.

Zeri
Si nisi hetimi për 'Sterilizimin'?
Ilir Beqja, Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar këtë të shtunë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i udhëtimit jashtë vendit për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për koncensionin e ‘Sterilizimit”. Më herët në burg për këtë koncension kanë shkuar biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendësi i Beqajt, Klodian Rrjepaj.

Miqësia e “fshehtë” mes Ilir Beqajt, Klodian Rrjepajt dhe Ilir Rrapajt

Prokuroria e Posaçme shprehet se Ilir Beqja, Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj kishin miqësi me njeri-tjetrin por këtë e kishin fshehur. Ndërsa fituesi i koncensionit 10-vjeçar të “Sterilizimit” ishin paracaktuar. Sipas SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë nuk ka treguar se kishte një njohje të vjetër me biznesmenin që do të fitonte dhe koncensionin plot 100 milionë euro.  Ata kishin qenë shokë fakulteti, ndërsa pjesë e miqësisë ishte dhe ish-ministri.

Ilir Rrapaj, sipas SPAK kishte kontakte të vazhdueshme me ish-ministrin Beqja ndërsa dilte me makinën e Ministrisë së Shëndetësisë jashtë vendit.

U paracaktua fituesi i koncensionit

Për shkak të miqësisë mes “treshes”, sipas organit të akuzës, koncensioni tashmë i paracaktuar dhe “Sterilizimi” do të binte në dorën e biznesmenit Ilir Rrapaj. Ky i fundit kishte udhëtuar disa herë me Klodjan Rrjepajn ndërsa 2 muaj para se të hapej gara për koncensionin, Ilir Rapaj kishte nisur punën me mbledhjen e dokumentacionit që fituese të dilte kompania e tij, Investital LLC.

Si u frynë kostot e koncesionit në studimin e fizibilitetit

Zyrtarët e përfshirë në hartimin e dokumentacionit dhe negocimin e kontratës, frynë në mënyrë fiktive, kostot e koncesionit në studimin e fizibilitetit. SPAK shprehet se ata kanë futur medikamente dhe artikuj që nuk kanë qenë të nevojshëm për këtë procedurë. 

Ndërkohë një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Udhëtimet e ish-ministrit me zëvendësin dhe biznesmenin

Në duart e prokurorëve ka prova që faktojnë udhëtimet e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe biznesmenin që dhe fitoi koncnensionin, Ilir Rrapaj. Ilir Beqja dhe Klodian Rjepaj, kanë hyrë në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Alitalia- Romë, në datë 15 qershor 2014.

Nga kqyrja e të dhënave në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, rezulton se kjo periudhë përkon me veprimet përgatitore të Koncesionit.

Po ashtu kompania e Ilir Rrapaj ishte themeluar vetëm pak muaj para se dhe Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Beqja të merrte në duar çelësat e dikasterit.

llir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Alitalia- Romë, më datë 26 mars 2015.

Kjo periudhë përkon me shpalljen e rinjoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave. Për këtë udhëtim Klodian Rjepaj, ka marrë ‘Autorizim për shërbimin jashtë vendit’.

Ilir Rrapaj, Umbro Staccini dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Blu Panorama-Peruxhia, më datë 13 Prill 2016.

llir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Blu Panorama-Peruxhia, më datë 24 nëntor 2016.

GJKKO vuri në lëvizje SPAK për hetimet ndaj Beqjas

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gusht të këtij viti i kërkoi SPAK-ut që të thellonte hetimet dhe të ndiqte lidhjen e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja me biznesmenin që fitoi koncensionin Ilir Rrapaj.

Sipas GJKKO, të dhënat e dosjes ishin të mjaftueshme që ndaj Beqjas të niste hetimi ndaj i kërkoi SPAK që ta ‘’skanonte”. Po ashtu GJKKO kërkoi që hetimet të shtrihen dhe në rolin që ka pasur ish-ministri i Financave Shkëqim Cani në këtë çështje. 

Deri më tani ish-ministri Ilir Beqja i ka mohuar akuzat ndaj tij ndërsa ka mbrojtur kontratën koncensionare të firmosur prej tij.

Ndërkohë që prej vitit 2019 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte nisur hetimiet për koncensionin e "Sterilizmit", Ilir Beqjes në 26 tetor të këtij viti, iu besua drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe te Koordinimit të Ndihmës së Huaj. Detyrë që ende e mban./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB