Aktualitet

Nga Dubai në burgun belg, ekstradohet Eldi Dizdari, dënohet me 10 vite burg për trafikun e drogës

Dizdari ishte arrestuar në Emiratet rreth dy vite më parë, pas një kërkese të autoriteteve belge për ekstradimin e tij.

M.K.
Nga Dubai në burgun belg, ekstradohet Eldi Dizdari, dënohet me 10 vite
Eldi Dizdari

Eldi Dizdari i njohur edhe si Denis Matoshi është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës ku pritet të vuajë dënimin me 10 vite burg të dhënë nga drejtësia belge për përfshirjen në trafikun e drogës.

Sipas mediave belge 37-vjeçari i njohur edhe me pseudonimet 'Alduth' ose 'Shqiptari i gjatë' u nis të mërkurën me avion nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pas disa orësh mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek. Prej aty ai u transferua në një burg belg.

Dizdari ishte arrestuar në Emiratet rreth dy vite më parë, pas një kërkese të autoriteteve belge për ekstradimin e tij. Emri i tij lidhet me organizatën kriminale shqiptare "Kompania Bello" ndërsa autoritetet belge e konsiderojnë një prej figurave kryesore të saj.

Sipas vendimit të gjykatës së Antwerp-it Dizdari është dënuar këtë vit me 10 vite burg dhe 80 mijë euro gjobë për rolin e tij në trafikun e drogës në kuadër të dosjes Yaramis. Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin e 7.5 milionë eurove, të konsideruara si përfitime kriminale që i atribuohen atij.

Hetimet belge kanë zbuluar se, pas dobësimit të klanit 'Yaramis' në portin e Antwerp-it për shkak të konflikteve të brendshme dhe hetimeve policore Matoshi dyshohet se bashkëpunoi me Omar Govers dhe Najim E.M. për nxjerrjen e ngarkesave të kokainës nga porti.

Në një tjetër dosje të lidhur me Govers autoritetet belge dyshojnë se bashkëpunëtorët e tij kanë kryer gjatë viteve 2020 dhe 2021 dy transportime parash për llogari të Eldi Dizdarit me një vlerë totale prej 1.75 milionë eurosh. Pjesa që lidhet me Dizdarin në këtë çështje ishte veçuar për tu trajtuar në një procedim më vete.

Emri i Eldi Dizdarit është i njohur edhe për autoritetet shqiptare. SPAK e ka përfshirë në hetimet për organizatën "Kompania Bello" ndërsa Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e disa prej pasurive të tij.

Ekstradimi është konfirmuar edhe nga ministrja belge e Drejtësisë Annelies Verlinden. Përmes një reagimi në rrjetet sociale ajo e cilësoi bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe si një tregues se autoritetet po ndjekin personat e dyshuar për krime të lidhura me trafikun e drogës edhe jashtë kufijve të Belgjikës./ZËRI

Poll

MOS HUMB