GREQI- Një tjetër rast i dhunës në familje është denoncuar në Lavrio të Greqisë ku një 23-vjeçare ka kallëzuar ish-partnerin e saj për kërcënime dhe ngacmime të vazhdueshme. E reja e cila është nënë e një fëmije dhe ndodhet në muajin e shtatë të shtatzënisë thotë se ka frikë për jetën e saj dhe të fëmijëve.
Sipas mediave greke 23-vjeçarja ka treguar se ish-partneri i saj, 31 vjeç dhe me origjinë shqiptare e ka dhunuar fizikisht gjatë kohës që ata ishin bashkë dhe se problemet kanë vijuar edhe pas ndarjes. Ajo pretendon se është goditur me grushte e shqelma dhe është tërhequr zvarrë nga flokët, ndërsa disa prej episodeve kanë ndodhur edhe kur mbante fëmijën në krah.
E reja ka rrëfyer gjithashtu se një prej episodeve të dhunës është dërguar në qendrën shëndetësore të Lavrios. Sipas saj ishpartneri e kishte kërcënuar që të mos tregonte të vërtetën për plagët dhe ajo kishte deklaruar se ishte rrëzuar nga shkallët.
Pas ndarjes 23-vjeçarja ka bërë kallëzim në polici për dhunë në familje dhe ndaj 31-vjeçarit janë vendosur masa kufizuese përfshirë ndalimin e afrimit ndaj saj në një distancë prej 50 metrash. Megjithatë ajo pretendon se edhe pas këtyre masave ai ka vijuar ta telefonojë ta kërcënojë dhe ta shqetësojë.
Situata është përshkallëzuar gjatë një episodi të fundit në një kënd lojërash në Lavrio ku ndodhej edhe fëmija i çiftit. Sipas dëshmisë së gruas ish-partneri është shfaqur në vend dhe ka nisur të bërtasë e ta kërcënojë, duke shkaktuar shqetësim te personat që ndodheshin aty.
Pas njoftimit të policisë 31-vjeçari është larguar nga vendi. Autoritetet greke kanë nisur kërkimet për të, ndërsa për 23-vjeçaren janë marrë masa për mbrojtjen e saj. Mediat greke raportojnë se ajo është dërguar në spital pas gjendjes së rënduar emocionale të shkaktuar nga incidenti.
Në dëshminë e saj, e reja ka shprehur frikën për sigurinë e saj dhe të fëmijëve, ndërsa pretendon se problemet me ish-partnerin kanë nisur prej kohësh.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se në vitin 2024 kur kishte kërkuar ndihmë në polici, një efektiv i kishte sugjeruar të rikthehej te partneri i saj. Këtë pretendim sipas materialit të dhënë, e reja kërkon që autoritetet ta hetojnë bashkë me episodet e tjera të denoncuara.
Tashmë çështja është në duart e autoriteteve greke të cilat pritet të verifikojnë pretendimet e 23-vjeçares historikun e denoncimeve dhe nëse janë shkelur masat kufizuese të vendosura ndaj ish-partnerit./ZËRI