Aktualitet

Dënimi i Thaçit, avokati ngre pikëpyetje për Macronin: Si e dinte vendimin 6 ditë para shpalljes?

Sipas avokatit deklarata e Vuçiçit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një zyrtar politik mund të kishte dijeni paraprake për një vendim gjyqësor përpara se ai të bëhej publik.

M.K.
Dënimi i Thaçit, avokati ngre pikëpyetje për Macronin: Si
Luka Misetiç

KOSOVË- Përmes një postimi në platformën X avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiç ka ngritur pikëpyetje lidhur me një deklaratë të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për takimin e tij me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris.

Në fokus të reagimit të avokatit është një deklaratë e Vuçiçit i cili ka folur për një takim me një 'lider europian dhe botëror' gjatë të cilit ishte informuar se Hashim Thaçi do të merrte një dënim të rëndë.

Misetiç dyshon se personi të cilit i referohet presidenti serb është Emmanuel Macron. Kjo pasi Vuçiç dhe Macron u takuan më 10 shtator në Paris ndërsa vendimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së u shpall disa ditë më vonë.

Sipas avokatit deklarata e Vuçiçit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një zyrtar politik mund të kishte dijeni paraprake për një vendim gjyqësor përpara se ai të bëhej publik.

“Vuçiç u takua me Macron më 10 shtator në Paris, dhe ai e pohoi vetë në video që ishte informuar për dënimin e Thaçit gati një javë përpara se ai të merrej nga gjykata. Në këtë situatë, janë disa pyetje që kërkojnë përgjigje”, tha avokati Luka Misetiç.

Avokati kërkon gjithashtu të kuptohet nëse çështja e Thaçit është diskutuar gjatë takimit mes dy presidentëve dhe nëse po në çfarë rrethanash.

“Si është e mundur që presidenti francez të kishte dijeni për vendimin e Gjykatës Speciale disa ditë përpara shpalljes së tij dhe përse do të ishte diskutuar kjo çështje mes presidentit francez dhe atij serb?” shprehet Misetiç.

Reagimi i avokatit vjen në një kohë kur në Kosovë vijojnë protestat dhe reagimet kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar në total me 81 vite burgim, pasi janë gjetur fajtorë për krime lufte.

Ndërkohë gjatë vizitës së saj në Prishtinë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi se pavarësia e Gjykatës Speciale duhet të garantohet dhe se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të respektohet.

Von der Leyen theksoi gjithashtu se 'askush dhe asgjë'nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës./ZËRI

Poll

MOS HUMB