
DURRËS- Policia e Durrësit ka vënë në pranga 33-vjeçarin Andrea Bregasi, pasi lëvizte me armë në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11 të qytetit bregdetar. Nga verifikimet e bëra, Policia ka zbuluar se 33-vjeçari ka qenë në kërkim për një tentativë vrasje të ndodhur në 15 Dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë. Bregasi ka qëlluar me armë zjarri drejtim të mjetit që drejtonte Rudolf Zefi, teksa pasagjer ishin dy vëllezërit e tij. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, megjithatë policia bëri të mundur identifikimin e të riut përmes pamjeve filmike, dhe vuri 5 mijë euro në dispozicion të arrestimit të tij. Por shpërblimi monetar nuk ka vlejtur, dhe Bregasi për pothuajse 7 muaj ka lëvizur i lirë, deri në arrestimin e djeshëm nga ana e policisë së Durrësit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Kontrolle dhe inteligjencë policore, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje. Lëvizte i armatosur me pistoletë, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë mundëson kapjen dhe vënien në pranga të 33-vjeçarit.
I arrestuari, në kërkim nga Policia e Tiranës, për vrasje me dashje, të mbetur në tentativë. Sekuestrohet arma e zjarrit me krehrin dhe 9 fishekë. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në qytetin e Durrësit, Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizoi operacionin policor të koduar “Precedenti”.
Gjatë këtij operacioni, në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 33 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli në çantën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.
Në vijim, pas verifikimeve rezultoi se shtetasi A. B. ishte në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI