Aktualitet

Në Greqi e bëjnë fakt të kryer, kur do të japë drejtoria e Burgjeve vendimin për Fredi Belerin

Beleri u dënua me vendim të Apelit me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, duke i pamundësuar atij ushtrimin e mandatit si kryebashkiak i zgjedhur në Himarë

E.K
Në Greqi e bëjnë fakt të kryer, kur do të japë
Fredi Beleri

TIRANË- Komisioni i Burgjeve do të mblidhet pasditen e kësaj të shtune, për të dhënë vendimin për Fredi Belerin, nëse do t’i miratohet apo jo leja 5-ditore për t’u bëtuar si eurodeputet. Beleri ka bërë kërkesë të lirohet përkohësisht nga burgu, për të shkuar në Strasburg, për të bërë betimin si eurodeputet. Mediat greke, që prej ditës së djeshme pretendojnë se leja për Belerin është miratuar, pavarësisht hezitimit që ka pasur për t’u shprehur drejtoria e burgjeve në Shqipëri. Sipas mediave greke, marrëveshja për lirimin e përkohshëm të Belerit, ishte arritur në samitin e NATO-s që po mbahet në Uashingtin, me ndërmjetësimin e ministrit të jashtëm Igli Hasani dhe homologut të tij grek.

Beleri është njëri nga eurodeputetët e Demokracia e Re, partisë së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së. Pak ditë më parë ai i bëri një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e PE, që do të mbahet më 15 korrik. Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.

Gjithsesi, arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, por detyrën e kryebashkiakut nuk arriti ta ushtronte, pasi nuk u lejua nga shkallët e gjyqësorit shqiptar që të betohej para Këshillit Bashkiak, sikundër përcaktohet në ligj.

Tashmë Beleri ka humbur funksionin si kryebashkiak i zgjedhur për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe në 4 gusht do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës. Para disa kohësh, pas një procesi me dritëhije, Gjykata e Posaçme e gjeti të drejtë kërkesën e SPAK-ut dhe shpalli fajtor kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për korrupsion në zgjedhje, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për proces të parregullt dhe të ndikuar politikisht.

Beleri u dënua me vendim të Apelit me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, duke i pamundësuar atij ushtrimin e mandatit si kryebashkiak i zgjedhur në Himarë. Megjithatë pas përfundimit të dënimit, atë e pret një detyrë e rëndësishme siç është ajo e përfaqësimit të Greqisë në Parlamentin Europian, nga radhët e Partisë Demokracia e re.

Poll

MOS HUMB