
VLORË- Policia e Vlorës ka reaguar ndaj akuzave të avokatit Aurel Kurani, i cili pretendon se është mbajtur i izoluar në Komisariatin e Sarandës për disa orë. Avokati në denoncimin e tij pretendon se ka shkuar në komisariat për të kontaktuar një klient, i cili ishte ndaluar nga Policia e Shtetit, por përfundoi edhe vetë në qeli. Por pas pretendimeve të tij, ka ardhur edhe një reagim nga Policia e Vlorës, e cila pretendon se avokati ka kanosur për shkak të detyrës punonjësin e policisë. Ndaj shtojnë, se të gjitha provat i janë depozituar në Prokurori, duke nisur kështu një procedimin penal për avokatin.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Në lidhje me pretendimet e shtetasit A. K (avokat) se Policia e Sarandës e ka shoqëruar padrejtësisht dhe e ka penguar të mbrojë klientin e tij, sqarojmë opinionin publik si më poshtë: Nga punonjësi i Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Sarandës, inspektori N. C., më datë 30.05.2024, është kapur në flagrancë duke ushtruar shërbimin e taksisë pa licencë, i paregjistruar në organet kompetente dhe me mallra të dyshuara të kontrabanduara, shtetasi H. K., i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht për nenet 178/1, 180/1 dhe 180/a/2 të Kodit Penal nga seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare. Lidhur me këtë rast, punonjësi i policisë inspektor N. C. është kontaktuar nga avokati i shtetasit H. K, konkretisht nga shtetasi A. K, i cili e kanosur për shkak të detyrës punonjësin e policisë. Kallëzimi, së bashku me provat lidhur me ngjarjen në fjalë, janë depozituar pranë oficerit të Prokurorisë, të cilët kanë nisur procedimin penal për shtetasin A. K. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe çdo strukturë e saj është e përkushtuar për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe punonjësit tanë. Çdo kërcënim apo kanosje ndaj një punonjësi të policisë është një çështje serioze dhe e dënueshme sipas ligjit. Ne nuk do të tolerojmë asnjë formë presioni apo intimidimi ndaj efektivëve tanë, të cilët janë të angazhuar për të siguruar rendin dhe sigurinë publike./ZËRI