
PRISHTINË- Babai i Liridona Murselit (Ademaj), 33-vjeçares që u vra nga bashkëshorti i saj në Kosovë ka zbuluar se kur ka nisur të dyshojë se bashkëshorti i saj kishte gisht në humbjen e të bijës. Hajdar Ademaj në një intervistë për "News24" tha se dhëndri e kishte marrë në telefon dhe i kishte treguar të gjithë ngjarjen. Por e vetmja gjë që e bëri të dyshonte ishte fakti që dhëndri ia kishte lënë të bijën pa jetë në makinë. Po ashtu, tregoi se aktualisht dy djemtë e çiftit ndodheshin në banesën e të bijës së ndjerë, ndërsa shtoi se janë prindërit e autorit të vrasjes ata që po kujdesen për të miturit.
"Patën lajmëruar, Naimi, se çika është e vrarë. Jena shku, me gjet çikën se ku është, milici e në tana anët jena shkuar, dhe e zbuluam. Nesër edh Naimi te na dhe e kam pyetur fort mirë. Naimi na kishte pas prerë në besë, kur hetova unë mas pari. Dyshova se kurrnifar fjale nuk ma tha mirë këtu kur e pyeta. E pyeta Naim si qe puna, më kallxo. Ia nisi me tregue. Naimi bleu shtëpi në Kosovë dhe i tha cikës hajde dhe ti këtu. Edhe as një javë nuk ka nejt. Më shumë rrite te ne. Atë ditën që e vranë tha bab do shkoj. U cua e shkoi, kur ka mbërritur në Prishtinë, e ka pyetur burrin e vetë për t’i bërë befasi fëmijëve një darkë. Kur u bë 8:20 minuta, u ni se u vra cupa. Kemi kërkuar zhvarrosjen e cikës sepse nuk ka çfarë ka me lyp atje, kur burri e ka bërë krimin. Naimi ka bërë krim të madh. Këto vjet i kam bërë, e kurrë s'kam dëgjuar për këtë lloj krimi. Falënderoj policinë se janë ka ecin me hapa të sigurt. E kërkojmë drejtësinë deri në pikën e fundit, mos me ndodh më kështu senesh. Ne dyshojmë se ky ka pasur jetë luksi shumë të madhe, dhe për atë që ta vras unë dhe t’ja marr pensionin e këto që i takojnë. Nuk ka gjë tjetër. Nuk ka pasur konflikte mes tyre. E kemi pritur si më mirë. Fëmijët janë në shtëpinë e Liridonës, janë prindërit e tij atje,"- tha ai.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri