
TIRANË-Pak ditë më parë u vu në pranga në Turqi Ibrahim Lici, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës. Ditën e sotme Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit është paraqitur në SPAK ku ka mohuar akuzat para hetuesve. Mustafa Lici pretendon se djali i tij ka qenë në Tiranë kur ka ndodhur krimi. Sipas Mustafa Licit dosja u montua nga drejtori i Policisë së Shkodrës që ishte atëkohë dhe oficeri Ardit Hasanbega që u arrestua në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’.
Mustafa Lici: Djali im ka qenë në Tiranë kur është vrarë Endri Mustafa. Kam dorëzuar pamjet filmike dhe qelizat telefonike që djali im ndodhej në Tiranë. Pamjet i kam bërë në shumë kopje se nuk kam besim. Dosjen e ka bërë gati Ardit Hasanbegaj dhe Niko Brahimaj. Pasi bëri dosjen e djalit tim Niko Brahimi u bë drejtor i Policisë Kriminale. Këta njerëz nuk e kanë ditur që ne disponojmë kamera. Dhe kamerat ua kemi dorëzuar po këtyre kriminelëve për t’u mbrojtur. Para se të dorëzonim kamerat dhe kemi deklaruar në media që kemi kamera, menjëherë drejtori i policisë Brahimaj, pas 4 ditëve ka marrë detyrën e drejtorit të Kriminalistikës, sepse ka dëgjuar që ne do të dorëzojmë këto kamera. Shërbimi ka qenë për të shkuar drejtor i Kriminalistikës. Ne i disponojmë të gjitha dhe i kemi këtu në shumë kopje. Ky është djali në kamera, në oraret që këta e akuzojnë. Ju do ta shikoni vetë, se ne do t’i bëjmë shumë shpejt publike, se ka ardhur koha për t’i bërë publike. Do ta shikoni vetë, dhe ju që nuk jeni ekspertë do thoni që ky është Ibrahimi në këtë orar. Kurse ekspertiza e Niko Brahimit ka deklaruar që nuk ka ngjashmëri me Ibrahimin. Është veti i shtati, i pesti, duke hyrë e dalë në ashensor, duke ngrënë, duke porositur, duke ndenjur, në çdo orar që këta e kanë akuzuar. Në Tiranë këtu ka qenë, që në datën 12 deri në 16-të është në Tiranë.
Ibrahim Lici, një prej 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare uarrestua nga Policia në Turqi në 15 shkurt. Lokalizimi i tij në Turqi është bërë nga pala shqiptare, të cilët kanë ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar. Prokuroria e Shkodrës i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, dosjen e tij, së bashku me kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzën e vrasjes.
Nga ana tjetër Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, ka reaguar nga Turqia për lajmin e arrestimit të 31-vjeçarit nga Shkodra. Në një reagim të parë, Lici pretendon se 31-vjeçari nuk është arrestuar nga Policia, por është vetëdorëzuar me vullnet të plotë pranë shtetit turk, për të kërkuar azil. Sipas tij, i vëllai nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri, duke pretenduar se shteti po bashkëpunon me bandat dhe është në shënjestër për t'u eliminuar. Ndaj edhe ka vendosur që të dorëzohet vetë pranë autoriteteve turke.
Ibrahim Lici ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet si urdhëruesi i eliminimit të Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur rreth 3 vite më parë në qytetin e Shkodrës. Vetë bashkëshortja e Mustafës do të deklaronte disa kohë pas ngjarjes, se Lici nuk ishte në listën e të dyshuarve. 31-vjeçari Ibrahim Lici ishte gjithashtu dhe në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar, bazuar në përgjimet e dosjes Metamorfoza.
Si u ekzekutua Endri Mustafa?
Endri Mustafa u ekzekutua në mënyrë makabre më 15 maj të vitit 2021. Mustafa, baba i tre fëmijëve, u gjet në afërsi të bregut të liqenit të Shkodrës, në një vend i njohur si zona e Livadheve. Ai ishte vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në pjesën e gojës, dy të tjerë në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet tri ditë pas denoncimit të zhdukjes në mënyrë të mistershme të 31-vjeçarit.
Ndërsa organet e hetimit akuzojnë si autor të vrasjes Ibrahim Licin, bashkëshortja e viktimës tha një vit më parë se me këtë familje kishin marrëdhënie të mira dhe se nuk ishin ata që e kishin kryer vrasjen. Prapa hekurave për ngjarjen është Ergys Malja, i cili dyshohet se e çoi viktimën në vendin e ngjarjes./ZËRI