Politikë

Ministri grek takon Belerin/ Në burgun e Durrësit ikin dritat

Ministri i Shtetit i Greqisë Stravros Papastavrou takoi sot në burgun e Durrësit, Fredi Belerin. Athina shpreh mbështetje dhe njëherë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

D.XH
Ministri grek takon Belerin/ Në burgun e Durrësit ikin dritat
Fredi Beleri

DURRËS – Ministri i Shtetit i Greqisë Stravros Papastavrou, ka takuar sot në burgun e Durrësit, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.

Takimi është zhvilluar gjatë ditës së sotme, 21 nëntor, në ambientet e burgut të qytetit bregdetar. Gjatë vizitës së ministrit grek, në paraburgimin e Durrësit mësohet se janë fikur dritat. Beleri ndodhet në burg prej disa muajsh. Vizita bëhet në funksion të gjyqit të Belerit, që zhvillohet nesër. Greqia shpreh dhe njëherë mbështetjen për kryebashkiuakun e zgjedhur.

Papastavru, pas vizitës në burgun e Durrësit, ka dhënë një deklaratë për mediat. Ai tha se Bashkia e Himarës është e vetmja bashki në Europë, që aktualisht nuk ka një kryetar. “Kërkojmë që hallkat e gjyqësorit të shprehen dhe të japin drejtësi për Fredi Belerin. Nesër shpresojmë që gjykata të gjykojë drejt për Belerin. Është e paprecedentë, që Himara sot është bashkia e vetme pa një kryetar bashkie”, deklaroi ministri i vendit fqinj.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit. Sipas përgjimeve të Prokurorisë, Beleri ka marrë para në këmbim të votave. Beleri dhe mbështetësit e tij kanë thënë se akuzat janë të fabrikuara dhe çështja është politike. Kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë refuzuar deri tani nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.  

Arrestimi i Belerit ka shkaktuar një ‘krisje’ në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Athina zyrtare ka kërkuar lirimin e Fredi Belerit, me arsyetimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe të pakicave kombëtare, duke 'kërcënuar' dhe me bllokim të rrugëtimit të vendit tonë në BE./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB