TIRANË-Gjykata e Apelit e GJKKO-së do të shqyrtojë sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta lidhur me masën e sigurisë ndaj tij 'arrest me burg'. Meta kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, pas gati dy vitesh qëndrimi në qeli.
Kërkesa e tij ishte parashikuar të shqyrtohej në seancën e mbajtur një ditë më parë, 14 shtator, por u shty për sot në orën 10:00. Në seancën e kaluar Apelit i GJKKO-së pranoi kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për të qëndruar jashtë kafazit të qelqtë gjatë procesit gjyqësor në shkallën e dytë. Sot Meta pritet të qëndrojë përkrah avokatit të tij në të njëjtën tavolinë.
lir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI