
TIRANË- Ish-ministri i Mbrotjes Fatmir Mediu është paraqitur sërish sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku do të mbahet seanca e radhës për çështjen Gërdeci. Mediu u paraqit në seancë së bashku me avokatin e tij mbrojtës, ndërsa sot pritet që të vijojë marrja në pyetje e dëshmitarëve, në lidhje me tragjedinë që mori jetën e 26 personave, si dhe la të plagosur qindra të tjerë.
Pas përfundimit së seancës më 27 dhjetor 2023, Mediu u shpreh se ky proces ndaj tij është thjesht një lojë mediatike, ku askush nuk merret me vetë çështjen për t’i shkuar deri në fund së vërtetës së saj.
Ai komentoi edhe thirrjen për të dëshmuar të djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, që sipas tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, dhe bëhet për të zhvendosur fokusin nga zbardhja e saj.
SPAK ka thirrur në total një listë prej 71 dëshmitarësh në gjyqin për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Deri tani janë pyetur 40 prej tyre, ku përfshihen zyrtarë dhe familjarë të viktimave apo personat të prekur nga tragjedia e 15 marsit 2008.
Në seancën e kaluar (27 dhjetor) dëshmoi Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, i cili para mediave tha se nuk di asgjë për faksin e vitit 2007 me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’, dokument që përcaktonte se fabrika do të ngrihej në Gërdec.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI