
TIRANË-Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni Italia zhvilloi sot një vizitë në kampin e refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër. Kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni kanë parë nga afër ecurinë e punimeve në kampin e emigrantëve në Shëngjin, i cili në fakt ka përfunduar dhe është gati, si dhe atë në Gjadër. Strukturat do të jenë të dyja gati në 1 Gusht. Strukturat do presin deri në 3 mijë persona, ndërsa në vit mund të presin deri në 36 mijë emigrantë, të gjithë të gjinisë mashkulllore. Të dy objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të realizohet nga rojet shqiptare. Por marrëveshja ka hapur reagime në rrjet dhe duket se nuk po pritet aq mirë.
Gazetarja, Zhaklin Lekatari me anë të një postimin në rrjetin social Instagram e ka quajtur marrëveshjen Shqipëri-Itali, 'burg shqiptar me burra afrikanë'.
"Marrëveshja Itali-Shqipëri? Burgje shqiptare me 36 mijë burra afrikanë. Thanks Shqipëri që na garanton jetë kaq cilësore. Thank you kryeministër,"-shkruan Lekatari krahas njoftimit të postuar.

Po ashtu edhe gazetari Olti Curri me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka komentuar marrëveshjen për emigrantët. Po ashtu edhe ai e ka cilësuar si një "burg të madh me meshkuj". Curri ka shprehur se organizatorët e marrëveshjes do të ndajnë mijëra euro mes tyre.
"Çfare eshte marreveshja Itali - Shqiperi? Hapja e nje burgu gjigand per 36 mije meshkuj afrikane. Burgu do te jete i ndare ne dy zona dhe sigurisht organizatoret e kesaj marreveshje do ndajne mes tyre miliona euro. Kaq e thjeshte...."-shkruan ai.

Në një postim tjetër Curri bëri thirrje të lirohen dy aktivistët e arrestuar ditën e sotme, të cilët protestuan gjatë kohës që Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni po vizitonte kampin ku do të priten emigrantët në Shëngjin, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me Shqipërinë. Gazetari shkruan se duhet të ndalohen këto praktika diktaktoriale.
'Arilda Lleshi dhe Edison Lika janë shoqëruar në komisariat për shkak të një banderole të hapur gjatë vizitës së Melonit në Shëngjin. Ne kërkojmë ndalimin e këtyre praktikave diktatoriale sa herë ka vizita propagandistike dhe lejimin e qytetarëve të shprehen, ashtu si në gjithë Europën. Lironi aktivistët!,"-shkruan Curri.

Dy aktivistët mbanin në duar një banderolë ku shkruhej, “Shqipëria është e Italisë”, ndërsa në sfond vendosën një kolonë zanore të vitit 1939, ku thuhet se Shqipëria është tashmë nën pushtimin e Italisë.
Më datë 6 nëntor 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen, për të ndërtuar në Shqipëri dy qendra për të strehuar emigrantët. Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit të emigrantëve do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Strukturat e krijuara në Shqipëri, do të mund të strehojnë gjithsej deri në 3 mijë emigrantë në muaj, për një parashikim prej 36 mijë personash në vit. Qëllimi është që për ta të përfundojnë me shpejtësi procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil apo riatdhesimin e tyre të mundshëm. Një total prej 653 milionë eurosh do të shpenzohen për 5 vite, përfshirë këtu akomodimin dhe sigurinë e refugjatëve. Brenda kësaj kostoje përfshihen gjithashtu përgatitja e 20 sallave gjyqësore për seancat në Shqipëri, si dhe rikthimin e refugjatëve sërish në Itali. /ZËRI