
TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA ka lënë këtë të mërkurë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për shkarkimin nga detyra të prokurores së Kukësit Rita Gjati. Kjo e fundit nuk ishte e pranishme në seancën e zhvilluar. Sipas KPA, Gjati ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Ndërkohë, problemet në aspektin profesional nuk u gjetën penalizuese.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 19 mars 2021 ta largojë nga detyra prokuroren Rita Gjati, duke çmuar se subjekti nuk ishte bindëse në shpjegimet e saj për pasurinë, lidhur me kontaktet e papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe për problemet e konstatuara në kriterin profesional, duke argumentuar se deklarimet e mëparshme të saj nuk përputheshin me provat e siguruara gjatë hetimit administrativ.
Probleme u kontatuan në lidhje me një apartament dhe një garazhd në Sarandë, të cilin prokurorja e ka justifikuar me të ardhurat e bashkëshortit të saj si mësues për periudhën 1986-1997, dy kredi të marra nga Fondi Besa dhe të ardhurat nga shitja e një trualli në shumën 1 milion lekë. Por sipas KPA, Gjati dhe familjarët e saj janë gjetur në pamundësi financiare. Lidhur me mosdeklarimin e bashkëpronësisë së garazhit, u konkludua se gjyqtarja nuk ka përmbushur detyrimin për deklarim të saktë e të plotë.
Situatë të ngjashme, KPA konkludon edhe për një apartament në Tiranë me vlerë 6 milionë lekë të regjistruar në emër të djalit të subjektit në vitin 2021. Por dhe për një truall 550 m2 në emër të djalit, të fituar me vendim të Këshillit të Bashkisë Sarandë të vitit 2000, si shesh ndërtimi, KPA vlerëson se mosdeklarimi i këtij trualli nuk përbënë fshehje të pasurisë. Por, Kolegji vlerëson se përdorimi i vendimit të Këshillit të Bashkisë Sarandë, i miratuar në mungesë të qartë të kriteteve duke passjellë përfitim të padrejtë të vlerës monetare, ndikon në mosarritjen e një vlerësimi të besueshëm në kriterin e pasurisë, shkruan BIRN.
Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se Gjati ka kryer deklarim të pasaktë në kriterin e figurës, pasi nuk ka treguar faktin se ajo dhe bashkëshorti kishin krijuar marrëdhënie juridike me një person të përfshirë në krimin e organizuar, pasi kanë përfituar të drejtën e përdorimit mbi një apartament në pronësi të tij, përpara shlyerjes së çmimit të shitjes. Për rrjedhojë, kanë rezultuar debitorë ndaj tij me një shumë monetare prej 4 milionë lekësh. Kjo situatë vlerësohet nga Kolegji se e vendos subjektin në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe për figurën./ZËRI