
TIRANË- I dënuari me burgim të përjetshëm, Dritan Dajti, ka lënë përkohësisht qelinë, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tij, e cila ka ndërruar jetë.
Ceremonia e varrimit u krye paraditen e sotme në Tufinë, ndërkohë që shoqërimi i të dënuarit për vrasjen e 4 policëve është kryer nën masa të rrepta sigurie.
Pas ceremonisë mortore, Dajti u kthye në ambientet e burgut të Peqinit ku vuan dënimin, një dënim ende i diskutueshëm dhe në proces gjyqësor, pasi dënimi me 25 vite burg ka përfunduar, ndërkohë që Dajti e cilëson të paligjshëm vendimin për burgim të përjetshëm.
Në seancat e fundit drejtoria e burgjeve nuk ka marrë përsipër shoqërimin e tij për në Gjykatë, me pretendimin se ka pasur indicie për arratisjen e tij. Megjithatë kjo nuk i ka penguar ata që të lejojnë Dajtin që t’i japë lamtumirën e fundit nënës së tij.
Dritan Dajti, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ka kërkuar deklarimin e përfundimit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me 25 vjet burgim. Ai ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg. Gjykata e Lartë ka rikthyer në burg përjetë Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009.
Dritan Dajti është shpallur fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në 7 gusht 2008 në Durrës, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani gjatë një operacioni për arrestimin e tij. /ZËRI