Aktualitet

Shtyhet sërish gjyqi! Çfarë po ndodh me Dritan Dajtin, avokati: Të kesh 9 mijë policë dhe të mos e shoqërosh dot…

Autori i vrasjes së 4 policëve, në gusht të vitit 2009, kërkoi shoqërimin në Gjykatë, por kërkesa e tij nuk u pranua për arsye sigurie

E.K
Shtyhet sërish gjyqi! Çfarë po ndodh me Dritan Dajtin, avokati:
Dritan Dajti

ELBASAN- Është kthyer në një telenovelë seanca gjyqësore, për Dritan Dajtin, i cili pretendon se duhet të lirohet nga burgu, për shkak se ka përfunduar dënimin. Drejtoria e Burgjeve ka refuzuar për të dytën ditë me radhë shoqërimin e tij, pasi ka dyshime dhe informacione se Dajti mund të arratiset. Për këtë shkak edhe seanca e sotme u zhvillua me video konferencë nga ambientet e burgut të Peqinit. Në një videokonferencë nga qelia, Dajti akuzoi Gjykatën për sjellje jo korrekte dhe profesionale ndaj tij.

Dritan Dajti: Kam marrë njoftime të njëpasnjëshme nga gjykata për zhvillimin e kësaj seance. Asnjë njoftim i ngjashëm me të parin. Gjykata herë më thërret dhe herë kërkon videokonferencë. Gjykata të tregojë korrektësi në njoftimet e saj dhe unë të kem drejtësinë e munguar. Gjykata ka marrë parasysh urdhrin e drejtorisë së përgjithshme të burgjeve edhe pse ky institucion nuk është palë në këtë proces.

Ligji parashikon pjesëmarrje e palës mbrojtëse, prokurorit dhe palës se interesuar (pra unë). Nëse ju nuk me pranoni në gjykate, në të ardhmen prokurorit i lind e drejta ta cilësojë procesin e pavlefshëm. Kërkoj mendimin e prokurorit te deklaruar. Pranon prokurori këtë mënyrë gjykimi qe keni vendosur ju, pa praninë time? Jam unë personi i interesuar për zhvillimin e kësaj seance.

Ndërkohë, avokati i tij është shprehur se mos realizimi i prezencës fizike të Dajtit në seancë, është jo normale, pasi aktualisht janë 3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Shqipëri.

“3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Republikën e Shqipërisë, nuk shoqërojnë dot në gjykate një të dënuar. Ndërkohë që tek e njëjta gjykatë, në vitet 1999-2000, janë gjykuar në praninë e tyre në salle anëtarët e një sërë bandave”, u shpreh ai.

Megjithatë, seanca u shty pas kërkesës së Dritan Dajtit për të depozituar provat e tij para gjykatës dhe për të marrë në shqyrtim provat e depozituara tashmë nga Prokuroria. Seanca e radhës do të mbahet në datë 23 korrik, ora 13:30.

Pak ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi rikthimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili më herët kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 efektivëve të policisë. Dritan Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg./ZËRI

Poll

MOS HUMB