TIRANË- Vijon raportimi në Kuvend i Altin Dumanit në lidhje me punën e SPAK përgjatë vitit 2023. Dumani u përball me një seri pyetjesh nga deputetja e PD-së Albana Vokshi, një pjesë e të cilave mbetën pa përgjigje, për shkak se kreu i SPAK tha se janë çështje nën hetim. Vokshi e pyeti Dumanin në lidhje me krimet zgjedhore, por edhe me çështje të ndjeshme, si dosja 5D apo koncensionet në shëndetësi. Referuar vendimit të GJKKO për ta hetuar dosjen 5D si grup kriminal, Dumani tha se në fazën e hetimeve, ngritja e akuzave është kompetencë vetëm e prokurorit të çështjes.
Albana Vokshi: Krimet zgjedhore, a keni përgatitur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme?
Zhvendosja e adresave të qytetarëve, pse nuk keni filluar hetimet, kur kjo është e kundraligjshme, 200 mijë qytetarë nuk kanë ushtruar të drejtën e tyre.
Është ngritur me dhjetra herë, sistemi i patronazhimit, duke e vendosur votuesin në gjendje vunerabël për të votuar, kemi denoncuar aktivistin, një sistem që vijon të përdoret gjerësisht nga ministrat. Të gjitha postimet e ministres në Facebook, shpërndahen nga shkollat, a është kjo një arsye për të nisur hetimet.
Cili është statusi i hetimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar? Po i katër koncensioneve në shëndetësi? Përveç atij të sterilizimit që ju e keni çuar njëherë në Gjykatë, dhe tashmë po hetohet sërish.
Pse nuk e keni hetuar kompaninë 5 D si një grup i strukturuar kriminal, dhe një fakt i tillë u ngrit vetëm nga Gjykata, të njëjtën gjë keni bërë dhe për inceneratorët?
Keni deklaruar se punonjës policie janë të përfshirë në ngjarje kriminale, pse nuk i keni hetuar ju këta drejtues, kush i mbron ata.
A janë pjesë e hetimeve në Encrochat, ministra apo njerëz të drejtësisë.
Ka një kallëzim për çështjen McGonigal, prej dy vitesh e gjysmë nuk keni parë të arsyeshme që të thirret Edi Rama. A jeni në dijeni ju të një ministri që në dosjen Black Eagle thuhet se ka përfituar një orë 400 mijë euro.
Altin Dumani: Unë jam këtu për të raportuar për vitin 2023, për krimin zgjedhor kemi hetuar 50 raste brenda vitit, kemi dërguar për gjykim 16 persona. Këta janë tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e hetimeve për krimin zgjedhor. Sa i takon asaj që ju thatë se zgjedhjet janë shumë shpejt, ne jemi drejt përfundimit të një strategjie për hetimin e krimit zgjedhor, do të bëhet publik në muajin Janar të vitit të ardhshëm. Këto janë masat që ne kemi marrë për krimin zgjedhor.
Unë e kam vënë re, që ju jeni shumë aktive me kallëzimet, por duhet të na drejtoheni institucionalisht për këto çështje. Janë çështje të veçanta dhe nën hetim, që në çdo rast kur na keni kërkuar informacion, ne jua kemi dhënë. Ju lutem drejtohuni Prokurorisë për të gjitha kallëzimet që keni bërë.
4 koncensionet në shëndetësi që ju pyetetët, një është dërguar për gjykim dhe një tjetër është nën hetim. Sa i takon asaj që ju thoni se disa çështje duhet të ishin hetuar për grup kriminal, ju theksoj se është kompetencë e prokurorëve, se si ndiqet çështja në fazën e hetimeve. Siç dhe e dini, vendimmarrjet e prokurorit janë të kontrollueshme në gjykatën paraprake. Gjyqtari e fton prokurorin që të ndryshojë akuzën.
Sa i takon bashkëpunimit me policinë, ne kemi raport shumë të mirë, me përjashtim të problematikave që unë i kam adresuar dhe më herët. Në 3 vite, janë 69 efektivë policie që janë proceduar, po kërkojmë një zgjidhje me Policinë dhe Ministrinë e Brendshme.
Në lidhje me përgjimet SKY Encrochat, janë çështje nën hetim, dhe nuk mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimin që ka me agjensitë ligjzbatuese të huaja. Sa i takon çështjes Mc Gonigal është nën hetim paraprak, dhe është kompetencë e prokurorit se kë do të thërrasë dhe kur do e thërrasë. /ZËRI