
ITALI- Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës me qendër në Brescia, Itali, është goditur nga Policia italiane. 45 persona, shumë prej tyre me origjinë shqiptare, janë me masë sigurie. Sipas mediave italiane, janë ekzekutuar 45 masa paraprake, prej tyre 30 “arrest me burg”, 12 “arrest shtëpie” dhe 3 “detyrim paraqitje”. Por identiteti i asnjërit prej tyre nuk është zbuluar nga mediat.
Hetimi ka nisur në Brescia, atje ku grupi kishte bazën. Por anëtarët e grupit ishin të shpërndarë kudo dhe këtë e provojnë masat e sigurisë që janë dhënë në provincat e Brescias, Reggio Calabrias, Catanzaros, Napolit, Palermos, Romës, Milanos, Foggias, Cosenzas, Ragusas, Trapanit, Mantuas, Cremonas, Pavias, Chietit, Bolzanos dhe Biellës.
Nga hetimet u zbuluan dy grupe të akuzuar për shoqatë kriminale që synonin trafikimin e lëndëve narkotike të importuara nga Amerika e Jugut, Maroku dhe Holanda dhe të shpërndara nga provinca e Breshias në të gjithë vendin. Njëri prej grupeve ishte i lidhur me eksponentët e 'Ndrangheta, Cosa Nostra, Camorra, Stidda dhe Sacra Corona Unita.
Si funksiononte grupi?
Droga importohej në Brescia direkt nga vendet prodhuese. Ka dyshime se është një grua që ka krujuar lidhjet për të marrë kokainën nga Kolumbia, falë ndërmjetësimit me “klanin e Gjirit”. Përveç kokainës, grupi merrte edhe hashash nga Maroku duke e kaluar tranzit në Spanjë. Pasi droga mbërrinte në Itali, persona të tjerë, përfshirë edhe të afërm të familjeve "Ndrangheta" por edhe shtetas me origjinë shqiptare, menaxhonin qendrën ku grubullohej "malli" në provincën e Brescia-s, veçanërisht në Gussago ku u krijua një seli e vërtetë.
Droga u gjet në shtëpi, makina, në një rast brenda një prej tankeve të një kamioni qumështi dhe në një gurore në provincën e Leçes. Kokaina e këtij grupi mbante logot "888", "Cartier", apo dhe një ikonë putre, si shenjë dalluese./ZËRI