ELBASAN- Një parfum është bërë shkak për nisjen e hetimeve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhurata me vlerë 3.700 lekë ishte lënë në zyrën e një prokuroreje, duke u bërë indicje për nisjen e hetimeve nga ana e SPAK. E gjitha ka nisur në dhjetor të vitit 2023, kur Arben Kotollaku, oficer i Policisë Gjyqësore të Elbasanit, ka hyrë në zyrën e prokurores Glenda Zeneli dhe i ka dhënë një parfum.
Dhuratën ia kishte dhënë Ismail Q., i cili ishte arrestuar në tetor për "drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt" dhe ishte lënë në "detyrim paraqitje" nga prokurorja. Pavarësisht se prokurorja e ka refuzuar dhuratën, nuk ka mundur t’ia kthejë menjëherë pas oficerit dhe i gjithë momenti është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Ajo pretendoi se dhurata është kthyer, duke i dhënë gjithashtu edhe një vendim për refuzimin e dhuratës duke u bazuar në ligjin për konfliktin e interesit, por gjithsesi SPAK ka nisur një hetim për këtë çështje.
Gjatë marrjes në pyetje lidhur me ngjarjen, oficeri ka deklaruar se parfumin ia ka dhënë koleges për respekt, pa pasur qëllim për të ndikuar në ndonjë çështje hetimore. Ndërsa vetë, Ismail Q., qytetari që ka çështje të hapur në Prokurorinë e Elbasanit e mohon se është ai personi që i ka dhuruar parfumin hetueses.
Kështu, pas një viti hetimesh, ku u morën në pyetje disa persona; u kontrolluan telefonat e disa personave dhe u analizuan pamjet e kamerave të sigurisë, SPAK ka dalë në një përfundim: Nuk ka asnjë provë korrupsioni!
Pas një hetimi 1 vjeçar, Prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk ka pasur asnjë qëllim për ndikim në çështjet hetimore.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka kërkuar që çështja të pushohej, kërkesë e cila është pranuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka vlerësuar se nuk kishte indicie që mund të mbështesnin akuzat për korrupsion./ZËRI