
VLORË- Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për dy prej personave të dyshuar që kanë nxitur për të konsumuar kokainë, dhe më pas kanë abuzuar seksualisht me një 26-vjeçare.
Dy personat e arrestuar Albi Ceno dhe Oltjon Tahiri do të qëndrojnë nën masën e arrestit me burg, ndërkohë që u shfaqën para gjykatës me kokën ulur, në mënyrë që të mos filmoheshin nga kamerat. E njëjta masë u dha në mungesë dhe për dy personat e tjerë të dyshuar për ngjarjen, të cilët janë shpallur në kërkim, Gentjano Mehmeti si dhe një shtetas me iniciale V.K.
Prokuroria e Vlorës kërkoi masën e sigurisë "arrest me burg" për 4 personat e akuzuar. Zëri.ai zbardhi në mënyrë të plotë historinë e përdhunimit të dyshuar të vajzës, që ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës. Vajza dhe djemtë kanë qenë duke konsumuar darkën së bashku, ku dyshohet se kanë marrë dhe lëndë narkotike, dhe më pas 3 prej tyre dyshohet se kanë kryer marrëdhënie me dhunë me 26-vjeçaren.
Ndërkohë që lidhur me çështjen, "luftë" po bëhet edhe jashtë sallës së gjyqit. Drogimi dhe përdhunimi në grup i një 26-vjeçareje në Vlorë është kthyer në një përplasje virtuale mes një televizioni lokal, "6+1 Vlora" dhe gazetares Afrovita Hysaj.
Hysaj po përballet me një sulm në rrjetet sociale nga ‘TV 6+1VLORA’, pasi deklaroi se në drogimin e të resë, e cila ndodhet ende e shtruar në spital, kanë marrë pjesë jo tre, por katër persona. U aludua në fillim që një prej tyre, ishte djali i pronarit të '6+1 Vlora', Albert Deliaj, Klevisi. Kështu nisi dhe linçimi publik ndaj gazetares./Zëri.ai