
VLORË- Policia e Vlorës ka vendosur të procedojë penalisht 57-vjeçarin për veprën penale “Kanosja”, pas denoncimit të bërë nga gazetarja Afrovita Hysaj, e cila u kërcënua hapur nga përfaqësues të televizionit lokal ‘TV 6+1VLORA’. Reagimi i bluve të qytetit bregdetar erdhi vetëm pas publikimit të mesazhit që Albert Deliaj i kishte dërguar Hysajt, përmes të cilit e kërcënonte me fjalët: Je në gjak me mua! Në foton e bisedës shihet se numri është i regjistruar me emrin ‘Berti TV6’, gjë që nënkupton se bëhet fjalë për Deliajn.
Kërcënimi erdhi pas një sage të gjatë përplasjesh mes drejtuesve të televizionit dhe gazetares, pasi kjo e fundit deklaroi se mes përdhunuesve të një vajze në Vlorë, ishte dhe djali i pronarit të këtij televizoni, Klevis Deliaj.
Njoftimi i policisë:
Një 57-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, pas denoncimit të bërë nga shtetasja A. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion gazetare. Kjo e fundit e ka kallëzuar pasi është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, nga ky shtetas, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Për ngjarjen policia arrestoi në flagrancë shtetasit Oltjan Tahiri dhe Albi Ceno. Në kërkim për ngjarjen është shpallur dhe shtetasi Gentjano Mehmeti, ndërsa kërkohet edhe një person i katërt me inicialet V.K. Pikërisht V.K-ja është edhe ngatërresa që ka ndodhur me pronarin e TV 6+1 Vlora, pasi i biri Klevis Deliu u raportua se ishte ai personi i katërt që ishte shoqëruar nga Policia, informacion ky që rezulton i pavërtetë. Vajza dhe djemtë kanë qenë duke konsumuar darkën së bashku, ku dyshohet se kanë marrë dhe lëndë narkotike, dhe më pa 3 prej tyre dyshohet se kanë kryer marrëdhënie me dhunë me 26-vjeçaren.
*Zëri.ai është duke e ndjekur këtë rast dhe në ditët në vijim do të informojmë publikun për hetimin mbi rastin e përdhunimit dhe tentativën për të ndryshuar dëshminë e viktimës./Zëri.ai