
VLORË- Një person i katërt është marrë nën hetim nga policia dhe prokuroria e Vlorës, si bashkautor në nxitjen e 26 vjeçares në konsumimin e lëndëve narkotike. Duke iu referuar pamjeve filmike, sipas policisë shtetasi me inicialet V.K, 36-vjeç ka qenë pjesë e tavolinës ku e reja është nxitur që të konsumojë kokainë, ndërkohë që nuk ka qenë i pranishëm në dhomën e hotelit ku dyshohet se ka ndodhur dhe përdhunimi në grup.
Policia thotë se po vijon puna për kapjen e tij, ndërkohë që më herët janë arrestuar shtetasit Oltjan Tahiri, Albi Ceno, ndërkohë që është shpallur në kërkim Gentjano Mehmeti.
Zëri.ai zbardhi në mënyrë të plotë gjatë historinë e përdhunimit të dyshuar të vajzës, që ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës. Vajza dhe djemtë kanë qenë duke konsumuar darkën së bashku, ku dyshohet se kanë marrë dhe lëndë narkotike, dhe më pas 3 prej tyre dyshohet se kanë kryer marrëdhënie me dhunë me 26-vjeçaren.
Njoftimi i policisë së Vlorës:
Gjithashtu në vijim të njoftimit të dhënë më datë 22.10.2023, për vënien në pranga të 2 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një shtetasi tjetër, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 26-vjeçare, të cilën paraprakisht e kanë nxitur të përdorë lëndë narkotike, sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar hetimet e thelluara për këtë rast.
Në vijim, janë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”, edhe për shtetasin V. K., 36 vjeç, banues në Vlorë, dhe vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit O. T., A. C. dhe G. M., për të nxitur 26-vjeçaren që të konsumojë lëndë narkotike. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Zëri.ai