
GJIROKASTËR- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar 9 efektivë të Policisë së Shtetit në jug të vendit. Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, më 21 tetor, 9 punonjës së Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra sepse kanë liruar emigrantët e paligjshëm. Ndaj dhe akuzohen për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Kjo sipas hetimet kanë zbuluar se vetë punonjësit e Policisë transportonin migrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë, në kundërshtim me ligjin. Nga Delvina, më pas, emigrantët transportoheshin nga persona të tjerë brenda territorit shqiptar.
Edhe pse 9 efektivë janë pezulluar, hetimet vazhdojnë për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të punonjësve apo për të gjetur bashkëpunëtorë të tyre.
EFEKTIVËT E PEZULLUAR:
Kryekomisar Florian Mustafaj, Shef i Sektorit të Migracionit në DVKM Gjirokastër.
- Komisar Rami Ruçi, Shef i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.
- N/Komisar Ediat Kanina me detyrë Specialist në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër.
- N/Komisar Benard Kermaj, me detyrë Specialist i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër.
- Drejtues Behar Tafa, Kordinator i Operacionit Frontex.
- Inspektor Ramiz Balliu, me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër
-Inspektor Dritan Sako, me detyrë trup shërbimi ne Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër.
- Inspektor Emiliano Kazma, me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër.
-Inspektor Drini Çaçi me detyrë trup shërbimi në DVKM Gjirokastër.
NJOFTIMI I PLOTË:
Gjirokastër - Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka vendosur në datë 21 tetor, caktimin e masave të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 9 punonjës policie pranë DVKM Gjirokastër.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, e konkretisht:
- Drejtues B.T., Koordinator i Operacionit me FRONTEX;
- Kryekomisar F.M., Shef i Sektorit të Migracionit në DVKM Gjirokastër;
- Komisar R.R., Shef i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër;
- N/Komisar E.K., Specialist në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër;
- N/Komisar B.K., Specialist i Sektorit të Hetimit në DVKM Gjirokastër;
- Inspektor R.B., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër;
- Inspektor D.S., Trup Shërbimi në Sektorin e Migracionit në DVKM Gjirokastër;
- Inspektor E.K., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër;
- Inspektor D.Ç., Trup Shërbimi në DVKM Gjirokastër.
Vendimi i Gjykatës është rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, pas informacioneve se disa punonjës policie në bashkëpunim, transportonin migrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.
Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së migrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar. Hetimet për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të punonjësve apo bashkëpunëtorëve të tyre./Zëri.ai