Aktualitet

'Partizani'/ Avokatët e Berishës kërkojnë përjashtimin e gjyqtares: E kemi kallëzuar në SPAK

Avokatët Gjokutaj dhe Mëngjezi deklaruan se kanë kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka për "shpërdorim detyre"

k.m.
'Partizani'/ Avokatët e Berishës kërkojnë
Genc Gjokutaj

TIRANË- Kur të gjithë prisnin kryedemokratin Sali Berisha sot në gjyqin që po zhvillohet kundër tij, avokatët Sokol Mengjezi dhe Genc Gjokutaj duket se kanë një strategji tjetër. Të dy kanë kërkuar në sallën e gjyqit që të tërhiqet gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, me pretendimin se ka kaluar një vendim që ishte në kundërshtim me Kushtetutën. 

Ata kërkuan që gjyqtarja Gjoka të merret e pandehur nga SPAK, për "shpërdorim detyre". Ndërsa trupa gjykuese është mbledhur që të shqyrtojë kërkesën e tyre, dy avokatët kanë dalë jashtë, për të njoftuar mediat, lidhur me atë se çfarë po ndodhte.

"Ne kemi kërkuar përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Irena Gjoka. Përpos kësaj, kemi depozituar në SPAK një kallëzim ndaj saj, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Gjykimi për momentin është ndërprerë, për t’u shqyrtuar kjo kërkesë. Ju e dini besoj, se pas kërkesës për përjashtim, gjyqtarët nuk vazhdojnë dot me seancën e gjykimit. Po presim për vendim, në lidhje me kërkesën tonë për përjashtim të gjyqtares Gjoka.

Ne nuk mund të vijmë këtu që të kemi kohë 2-3 orë dhe të lexojmë 20 mijë faqe. Ne jemi për një proces sa më të rregullt, për një mbrojtje ligjore efektive. Kështu, që do të presim njëherë përgjigjen për kërkesën tonë dhe do vazhdojmë të njihemi më tepër me detajet e çështjes”, deklaroi Gjokutaj.

Avokati Genc Gjokutaj theksoi se janë autorizuar nga Berisha dhe gjykata ka pranuar autorizimin, për të vazhduar gjykimin, në praninë e mbrojtjes. Seanca e radhës ndaj Berishës do të mbahet nesër, 25 tetor, në orën 14:30 minuta. Ish-kryeministri Berisha këmbëngul, se thirrja e tij në seancën e gjyqit, dhe masa e sigurisë që ka lëshuar SPAK dhe GJKKO janë bërë në shkelje me Kushtetutën, pasi fillimisht nuk i kanë marrë leje Kuvendit./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB