
VLORË- Motra e 26-vjeçares e cila dyshohet se është përdhunuar nga 3 persona në qytetin e Vlorës, pasi kanë konsumuar lëndë narkotike, ka dhënë një dëshmi te ‘Shqipëria live’, ku tregon se viktima vijon të jetë në gjendje të rënduar emocionale. Ajo tregon se nëna e njërit prej personave të arrestuar ka shkuar menjëherë pas ngjarjes në spital, dhe i ka kërkuar 26-vjeçares që të falë djalin e saj. Motra pretendon se 26-vjeçares i kanë hedhur diçka në pije, dhe gjendja e saj në spital në orët e para ka qenë kritike.
Dëshmia e motrës: “Dje ka dalë nga spitali, por nuk është se është në gjendje të mirë. Nuk reagon, nuk mban mend asgjë. E kam pyetur, por nuk reagon. Ajo u mor në pyetje por nuk ka dhënë shumë shpjegime, se ka qenë në gjendje shumë të keqe. Kemi vajtur te doktori dhe më tha që erdhi në gjendje shumë kritike për jetën atë natë. Nxirrte shkumë nga goja.
Ka dalë me atë djalin, thjesht shok, dolën për të ngrënë dhe pirë, po ai i ka hedhur diçka në pije. Pastaj shkuan te shokët e tij, që e droguan më keq dhe e çuan në hotel. Recepsioni njoftoi policinë se ishte në gjendje kome motra, i kishte rënë të fikët. Ata ishin larguar dhe e kanë lënë ashtu motrën. Nuk kam pasur asnjë kontakt me ata djemtë, unë nuk i njoh. Unë si motra e saj nuk i lë, e as nuk do t`i fal”.
Zëri.ai zbardhi në mënyrë të plotë gjatë ditës së djeshme historinë e përdhunimit të dyshuar të vajzës. Për ngjarjen policia arrestoi në flagrancë shtetasit Oltjan Tahiri dhe Albi Ceno, ndërsa Klevis Delia u shoqërua dje si person për të dhënë deklarimin e tij si person në dijeni. Në kërkim për ngjarjen është shpallur dhe shtetasi Gentjano Mehmeti. Vajza dhe djemtë kanë qenë duke konsumuar darkën së bashku, ku dyshohet se kanë marrë dhe lëndë narkotike, dhe më pa 3 prej tyre dyshohet se kanë kryer marrëdhënie me dhunë me 26-vjeçaren./Zëri.ai