
TIRANË- Nisin hetimet për kryebashkiakun e Bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni. "Zëri.ai" ka mësuar se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe e Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për veprën penale "korrupsion zgjedhor". Madje, sot, është marrë në pyetje edhe një qytetare që i është ofruar ryshfet në këmbim të votës.
Sipas gazetarit Arsen Rusta, i cili ka siguruar edhe dokumentin, procedimi penal nr.178 i vitit 2023 për të cilën ndodhet nën hetim Ndoni nga prokurori Ols Dado, është regjistruar pas kallëzimit që ka bërë një 75-vjeçar, Agim Bakushllari. Ky i fundit, u paraqit të mërkurën e kaluar në SPAK për t’u marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes.
Vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale, i moshuari pretendon se funksionarë vendor në këtë Bashki, i kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe punësim të djalit të papunë, e gjitha kjo në këmbim të votave të tyre në favor të kandidatit socialist për kreun e Bashkisë Klement Ndoni, i cili garonte për mandatin e katërt. Ndërkohë që Ndoni rezulton i kallëzuar edhe më parë në Prokurori për shpërdorim detyre./Zëri.ai