
TIRANË- Pas konfirmimit të masës së sigurisë "arrest me burg" për Jamarbër Malltezin, ai është dërguar në ambientet e burgut 313 në Tiranë, ndërsa fillimisht u mbajt në bllokun e sigurisë në rrugën ‘Mine Peza’. Mësohet se ai do të mbahet nën vëzhgim nga oficerët e burgut për dy javë, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme ishte GJKKO që konfirmoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij.
Seanca e ditës së djeshme në GJKKO, e cila u shty për disa orë me kërkesë të avokatëve mbrojtës të Malltezit u shoqërua me debate të forta. Vetë Malltezi, i cili mbante në dorë dokumente voluminoze, u shoreh gjatë seancës se puna për rikthimin e pronave të familjes së tij kishte nisur në vitin 2000, kohë kur Sali Berisha nuk ishte ende kryeministër.
Malltezi u vu në pranga pasditen e së shtunës në aeroportin e Rinasit, pasi SPAK kishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai doli dje para Gjykatës, e cila konfirmoi masën e arrestit me burg ndaj tij. Ndërkohë që sot në GJKKO pritet që të mbahet seanca në ngarkim të Sali Berishës, i cili ende nuk e ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë./Zëri.ai