Aktualitet

Operacioni për Suel Çelën, policia del ‘duarbosh’! I shoqëron babanë dhe vëllain

Një tjetër operacion i dështuar për kapjen e Suel Çelës, edhe pse policia ka pasur indicie se ai gjendej në banesë

E.K
Operacioni për Suel Çelën, policia del ‘duarbosh’!
Suel Cela

ELBASAN- Një tjetër operacion është ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Elbasan për kapjen e të shumëkërkuarit Suel Çela. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se policia dhe agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle në tregun agroushqimor dhe në shtëpinë e Çelës, ndërkohë kanë shoqëruar babain dhe vëllain e tij, por jo vetë të shumëkërkuarin. Burimet bëjnë me dije se policia ka pasur indicie se Çela mund të ndodhej në banesë, por pas kontrolleve ai nuk është gjetur. Familjarët e tij janë marrë në pyetje nëse kanë apo jo dijeni për vendndodhjen e Çelës.

Mësohet se kontrolli gjatë ditës së sotme është ushtruar për llogari të autoriteteve belge. Sipas letërporosisë së ardhur nga ky shtet, gjatë kontrollit janë sekuestruar disa sende.

Dhjetëra operacione janë ndërmarrë nga policia gjatë 2 viteve të fundit për kapjen e tij, pasi dyshohet se është përfshirë në ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit.

Suel Çela i cili njihet dhe me emrin Marjus Lulaj pak kohë më parë i dërgoi një kërkesë Gjykatës së Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg me një masë më të lehtë sigurie. Masa ndaj tij është dhënë në mungesë, pasi prej majit të vitit të kaluar, Çela u shpall në kërkim pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Sipas SPAK, Çela ka porositur vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha pranë liqenit artificial. Gjithashtu, SPAK dyshon se ai ka porositur edhe vrasjen e Elton Kilës. Atentati ndaj administratorit Lulzim Masha ndodhi më 18 janar 2022, ku ky i fundit për fatin e tij të mirë iu shpëtoi plumbave. 

Ai u qëllua në mes të ditës teksa udhëtonte me makinën e tij në zonën e Liqenit të Thatë. Për këtë ngjarje është arrestuar Skerdi Tase, i cili ka pranuar autorësinë e krimit. I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani pohoi se ditën e ngjarjes ka qenë me Skerdi Tasen në Tiranë dhe e ka ndihmuar për t’u larguar me shpejtësi./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB