
TIRANË- Zbardhet dëshmia e Jamarbër Malltezit para trupës gjykuese në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas tij të gjitha procedurat për privatizimin e objektit, kanë nisur në vitin 2000 dhe se inventarizimi është firmosur nga kryeministri aktual Edi Rama, asokohe kryebashkiaku i Tiranës.
Sipas Malltezit e gjithë prona nuk ka qenë zonë sportive, siç pretendon prokuroria, por ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm i cili pretendonte se e kishte të regjistruar shoqëri aksionere Kf Partizani
Jamarbër Malltezi: Nuk e dija që isha unë armiku. Të gjitha procedurat për privatizimin e objektit, kanë nisur në vitin 2000. Inventarizimi është firmosur nga kryeministri aktual Edi Rama, që ne atë kohë ishte kryetar bashkie. E gjithë prona nuk ka qenë zonë sportive, siç pretendon prokuroria, por ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm i cili pretendonte se e kishte të regjistruar shoqëri aksionere Kf Partizani. Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur një proces gjyqësor në gjykatën e tiranës. Në atë kohë Gjykata shfuqizoi Kf Partizanin të regjistrohej si shoqëri aksionere. Unë jam profesor doktor dhe jetoj në Shqipëri edhe pse kam patur mundësi të largohem. Hetimi prej vitit 2020 po mbahej qëllimisht dhe unë kam qenë në dijeni të këtij procedimi.
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirirt të Lalzit.
Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai