
TIRANË- Ka përfunduar seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën për revokim të masës "arrest shtëpie". Në përfundim të seancës, avokati Genc Gjokutaj tha se Gjykata nuk u ka drejtuar asnjë pyetje prokurorëve teksa i quajti komisariat politik.
“Këta janë një komisariat politik. Nuk e di se si kjo gjykatë, që ka dhënë masën e arrestit për Berishën dhe Malltezin, nuk u bëri një pyetje prokurorëve. Të mos kesh një kuriozitet të bësh një pyetje, ku qëndron korrupsioni, kush i tha kujt, kush i premtoi kujt. Se kur do të përfundojë as prokurorët nuk e dinë vetë, se do të presin çfarë t’u thotë Rama. Prokurorët nuk u japin drejtim akteve të tyre. Kjo nuk është më gjykatë. Por, përgjegjësia është e gjykatës, që merr përgjegjësinë e një arresti. Si duket kjo gjykatëse e ka vendosur këtë punë, e di vetë ajo se si”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha po qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, që nga data 30 dhjetor 2023, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, që ka rënduar masën fillestare të caktuar ndaj tij, me argumentin se ai nuk iu bind vendimit fillestar, për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani"./ZËRI