
TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme nuk e ka pranuar ankimimin për zbutjen e masës së sigurisë dhe ka lënë në burg 10 anëtarët e grupit kriminal që trafikonin drogë nën lëkurën e gjedhëve. Ata u arrestuan gjatë operacionit të antidrogës të zhvilluar nga Prokuroris e Posaçme. Në mesin e të arrestuarve ishin dhe 3 persona nga Amerika Latine. Sipas SPAK në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri përpunohej duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.
SPAK ishte në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal, por i lanë ata të veprojnë të lirë. Grupi kriminal ka arritur të sjellë dy ngarkesat e fundit në shtator dhe në nëntor, ku në vendin tonë u transportuan 48 ton lëkurë gjedhi, të cilat përmbanin kokainë brenda. Më 15 nëntor SPAK në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe me Policinë e Shtetit ndërhynë dhe arrestuan 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 nga Amerika Latine. /ZËRI