Aktualitet

Pas denoncimit, Ministria e Kulturës nis hetimet për Altin Bashën

Sipas njoftimit, ministria do të nis hetimet rreth situatës dhe pas përfundimit të procesit do të merren masat ligjore.

I.F
Pas denoncimit, Ministria e Kulturës nis hetimet për Altin Bashën
Altin Basha

TIRANË- Pas denoncimit të emisionit “Piranjat” për keqmenaxhim në Teatrin Kombëtar, një instuticion që drejtohet nga Altin Basha, ka reagur Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Sipas njoftimit, ministria do të nis hetimet rreth situatës dhe pas përfundimit të procesit do të merren masat ligjore.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar.

Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar.

Pas shqyrtimit me detaje të të gjithë dokumentacionit dhe fakteve të raportuara, do të vlerësohet përputhshmëria dhe do të merren masat ligjore të nevojshme”, njoftoi ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Një investigim i "Piranjave" ka nxjerrë në dritë prapaskenat e Teatrit Kombëtar. Në qendër të investigimit ishte drejtori i TK, Altin Basha dhe bashkëshortja e tij, njëherasi edhe kostumografja e Teatrit, Ilirjana Basha. Të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë abuzuar me fondet. Në vitin 2022, Altin Basha u emërua me një Vendim të Këshillit të Ministrave si drejtor i Teatrit Kombëtar. Në vetëm dy vite punë, përmes kërkesave për informacion dhe dokumentave të siguruara nga gazetarët e “Piranjat”, pretendohet se Basha ka bërë shpenzime të tepërta lidhur me shfaqjet teatrore si edhe ka regjistruar të punësuar, dhe rrjedhimisht paguar, persona të afërt të cilët, nuk i kanë kryer në fakt punët respektive. /ZËRI

Poll

MOS HUMB